Tension para fillimit të Kupës së Botës: Irani akuzon SHBA-në për veprime armiqësore
Irani ka publikuar një deklaratë të ashpër kundër Shteteve të Bashkuara vetëm pak ditë para ndeshjes së parë në Kupën e Botës, që zhvillohet në Kaliforni.
Pavarësisht shqetësimeve dhe sugjerimeve të shumta se nuk do të ishte e sigurt që përfaqësuesja iraniane të merrte pjesë në turne për shkak të konfliktit të vazhdueshëm mes SHBA-së dhe shtetit të Lindjes së Mesme, ekipi tashmë ka mbërritur në SHBA, ndonëse në momentet e fundit mori vendim që bazën stërvitore ta zhvendosë nga Arizona në Meksikë.
Ndeshja hapëse e Iranit në Grupin G do të zhvillohet më 16 qershor në Inglewood, Kaliforni, ku do të përballet me Zelandën e Re, përpara dueleve kundër Belgjikës dhe Egjiptit, të cilat po ashtu do të luhen në SHBA.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, lojtarëve të Iranit u janë miratuar tashmë vizat për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, disa anëtarë të stafit shoqërues ende janë në pritje të vizave.
Sipas raportimit të agjencisë shtetërore iraniane Tasnim, disa zyrtarë, përfshirë drejtorin ekzekutiv Mehdi Kharati, sekretarin e përgjithshëm të federatës Hedayat Mombini dhe drejtorin e mediave Mohsen Motamedkia, ende nuk i kanë marrë vizat, pavarësisht se ndeshja hapëse e Iranit në Botëror është vetëm 10 ditë larg.
Federata e Futbollit e Iranit më pas e akuzoi SHBA-në për “veprime armiqësore” ndaj ekipit kombëtar, përmes një deklarate të ashpër.
“Qeveria e SHBA-së, duke vazhduar veprimet e saj armiqësore ndaj ekipit kombëtar, mori një vendim josportiv dhe krejtësisht politik për të refuzuar vizat për anëtarë kyç drejtues dhe administrativë të ekipit kombëtar të futbollit të Iranit”, thuhet në deklaratë.
“Kjo çështje do të ndiqet patjetër nga Federata e Futbollit përmes FIFA-s”.
Si organ përgjegjës, FIFA e ka detyrim ta ndjekë dhe ta finalizojë çështjen e vizave për stafin drejtues, ekzekutiv, teknik dhe mbështetës të ekipit kombëtar të Iranit, të cilët aktualisht janë në grumbullim dhe për të cilët ekipi kombëtar ka nevojë urgjente”, thuhej në reagimin e Iranit./Telegrafi/


