Temperaturat e larta, shkon në shtatë numri i të vdekurve nga i nxehti në Francë
Shtatë persona kanë vdekur në Francë për shkak të një vape ekstreme në fillim të verës që po prek një pjesë të madhe të Evropës Perëndimore, pasi Franca dhe Mbretëria e Bashkuar shënuan temperatura rekord për majin dhe temperaturat parashikohej të rriteshin më tej.
“Ajo që mund të them sot është se ka pasur shtatë vdekje të lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi me nxehtësinë”, tha zëdhënësja e qeverisë, Maud Bregeon, duke shtuar se pesë nga vdekjet kanë ndodhur nga mbytja.
Meteo France, agjencia kombëtare e motit, tha se temperatura më e lartë e së hënës 37.1 gradë Celsius u regjistrua pranë Hossegor, në departamentin jugperëndimor të Les Landes, duke shtuar se temperaturat në të gjithë perëndimin e vendit mund të kalojnë 36 gradë Celsius të martën.
E hëna ishte dita më e nxehtë e matur për një muaj maj që nga fillimi i regjistrimeve, me temperaturën mesatare kombëtare, të matur në 30 stacione në të gjithë vendin, që arriti në 24.4 gradë Celsius, krahasuar me një maksimum të mëparshëm prej 23.7 gradë Celsius që daton që nga viti 1944.
Zyra Meteorologjike e Mbretërisë së Bashkuar tha se e hëna ishte dita më e nxehtë e majit e regjistruar ndonjëherë në vend, me temperatura që arritën 34.8 gradë Celsius në Kew Gardens, në jugperëndim të Londrës.
Në Spanjë, temperaturat maksimale prej 36-38 gradë Celsius në luginat Guadiana, Guadalquivir dhe Ebro pritet të vazhdojnë ndoshta deri të premten, sipas shërbimit shtetëror të motit, Aemet, duke shtuar se në disa nga ato zona, temperaturat mund të arrijnë 40 gradë Celsius.
Në rajonin e Lacios në Itali, i cili përfshin Romën, autoritetet kanë vendosur kufizime për punën në ferma, kantiere ndërtimi dhe në sektorin e shpërndarjes midis orës 12:30 dhe 16:00.
Më shumë temperatura të reja do të shënohen në Francë, Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar, me temperatura që tejkalojnë normat me 12 ose 13 gradë Celsius në atë që Meteo France e përshkroi si një episod të nxehtësisë “të parakohshme, të jashtëzakonshme dhe të gjatë” që pritet të zgjasë edhe disa ditë. /Telegrafi/


