Please enter at least 3 characters.

Temperatura të larta, IHK apelon për kujdes gjatë orëve të pikut

Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se gjatë fundjavës vendi ynë do të mbetet nën ndikimin e masave ajrore relativisht të qëndrueshme, të cilat do të kushtëzojnë mot kryesisht me diell dhe vranësira të pakta deri mesatare.

IHK njofton se kushtet meteorologjike do të jenë përgjithësisht të favorshme për aktivitetet në natyrë, bujqësi dhe transport.

Për të shtunën moti do të jetë kryesisht me diell dhe me vranësira të shpërndara.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10 dhe 13°C, ndërsa ato maksimale do të arrijnë 28 deri në 33°C. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i verilindjes dhe veriperëndimit me shpejtësi 1–5 m/s.

Ndërkaq, për të dielën parashihet mot me diell dhe pjesërisht i vranët.

Temperaturat minimale do të jenë ndërmjet 10 dhe 13°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë 28 deri në 32°C.

Era do të jetë e dobët, me drejtime të ndryshme.

IHK njofton Kushtet agrometeorologjike do të jenë shumë të favorshme për zhvillimin e kulturave bujqësore.

Temperaturat e përshtatshme, moti i thatë dhe orët e gjata me diell krijojnë kushte optimale për pjekjen e drithërave.

Duke qenë se jemi në prag të fillimit të fushatës së korrje-shirjeve të grurit, kjo fundjavë pritet të jetë veçanërisht e përshtatshme për përgatitjen dhe fillimin e punimeve në arat me drithëra, si dhe për zhvillimin e aktiviteteve të tjera bujqësore, të cilat aktiviteti fillimisht do të nisen nga rrafshi i Dukagjinit ku atje për shkak të kushteve të mira klimatologjike korrjet fillojnë për rreth 10 ditë më herët se në rrafshin e Kosovës.

Edhe kushtet biometeorologjike do të jenë kryesisht të favorshme për shumicën e popullatës.

Megjithatë, gjatë orëve të mesditës dhe pasdites, për shkak të rritjes së temperaturave dhe rrezatimit të lartë diellor, rekomandohet shmangia e ekspozimit të panevojshëm në diell, konsumimi i mjaftueshëm i lëngjeve dhe mbrojtja nga rrezet UV, të cilat do të kenë intensitet të lartë. /Telegrafi/