Please enter at least 3 characters.

Takimi zgjati vetëm 35 minuta - Uashingtoni kërkon ide të reja, Moska zbatim të "marrëveshjes së Anchorages"

Takimi mes Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubios dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov në Filipine përfundoi pa një afrim të dukshëm mes dy palëve.

Pas bisedimeve të shkurtra, të cilat zgjatën vetëm rreth 35 minuta, Moska dhe Uashingtoni dhanë deklarata të kundërta për rezultatet e takimit.

Lavrovi deklaroi se Rusia dëshiron të rikthehet te ajo që ai e quajti “shpirti i marrëveshjeve të Anchoraget”, duke kërkuar vazhdimin e përpjekjeve diplomatike mbi bazën e diskutimeve të mëparshme.

“Ne duam të rikthehemi te marrëveshjet e Anchoraget”, tha Lavrovi pas takimit.

Nga ana tjetër, Rubio vlerësoi se bisedimet e Anchoraget nuk sollën rezultat dhe se palët duhet të kërkojnë qasje të reja për zgjidhjen e konfliktit.

“Bisedimet në Anchorage dështuan. Palët duhet të kërkojnë ide të reja për ta zgjidhur konfliktin. A mendoni se e zgjidhëm luftën për 30 minuta të bisedës sonë në Azi? Nuk funksionon kështu”, deklaroi Rubio.

“Marrëveshja e Anchorage” nuk është një marrëveshje e nënshkruar zyrtare paqeje apo një traktat i njohur ndërkombëtar.

Termi zakonisht i referohet bisedimeve të zhvilluara në Anchorage, Alaska, mes përfaqësuesve të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, ku u diskutuan çështje që lidhen me luftën në Ukrainë dhe marrëdhëniet mes dy vendeve.

Takimi në Filipine tregoi edhe një herë dallimet e thella mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, pavarësisht përpjekjeve për të mbajtur hapur kanalet diplomatike. /Telegrafi/