Tahiri: Vetëm po ndryshojnë skenarët, por kriza vazhdon
Deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës, Arian Tahiri, ka deklaruar se situata e krijuar politike në Kosovë është pasojë e mungesës së përgjegjësisë së pushtetit ndaj qytetarëve.
Pas shtyrjes së radhës të seancës, Tahiri e ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se institucionet e Kosovës po keqpërdoren prej tij tash e 18 muaj.
“Është për keqardhje abuzimi që po u bëhet institucioneve të Kosovës nga Albin Kurti tash e 18 muaj”, ka deklaruar Tahiri.
Sipas tij, ndonëse skenarët politikë ndryshojnë vazhdimisht, vendi vazhdon të përballet me krizë institucionale.
“Vetëm po ndryshojnë skenarët, por krizë ka të vazhdueshme”, ka thënë Tahiri.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pasi lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti, tha se në mungesë të një marrëveshjeje politike me partitë e tjera, kërkon kohë shtesë.
“Marrëveshje politike nuk kemi, prandaj që të evitojmë zgjedhjet e reja ju lus për kohë shtesë”, tha Kurti.
Kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, e ka pranuar kërkesën e Kurtit dhe u ka bërë thirrje partive politike që të angazhohen në negociata.
Pas kësaj, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka hedhur vezë në drejtim të Kurtit, duke shkaktuar tensione dhe rrëmujë në sallë, ndërsa është kërkuar ndërhyrja e sigurimit. /Telegrafi/


