Tahiri i Aleancës kërkon takim me Deharin për vazhdimin e seancës konstituive
Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri ka bërë të ditur se ka kërkuar takim me kryesuesin e seancës, Avni Dehari për përgatitjet edhe koordinimin lidhur me seancën e radhës.
Tahiri thekson se ka kërkuar që takimi të zhvillohet deri në ora 13:30.
“Sot i kam drejtuar një kërkesë Kryesuesit të Seancës Konstituive, z. Avni Dehari, për zhvillimin e një takimi lidhur me përgatitjen dhe koordinimin e seancës së radhës, e cila, në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit, duhet të mbahet nesër.
Në frymën e përgjegjësisë institucionale dhe të respektimit të procedurave parlamentare, kam propozuar që takimi të zhvillohet deri në orën 13:30, në ambientet e Kuvendit. Pres konfirmimin e kohës dhe vendit të takimit.
Pas takimit do t'ju drejtohemi mediave në hollin e kuvendit”, thekson Tahiri. /Telegrafi/


