Sveçla: Armatimi në Zubin Potok u gjet pranë varrezave masive me mbetjet e 23 personave
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se armatimi, municionet dhe pajisjet ushtarake të sekuestruara së fundmi nga Policia e Kosovës në Zubin-Potok janë gjetur në zonat përreth lokacioneve ku janë zbuluar varreza masive.
Në një konferencë për media, Sveçla tha se armatimi është hasur pranë zonave ku janë gjetur mbetjet mortore të 23 personave, në tri lokacione të ndryshme.
Sipas tij, mbetjet mortore janë zbuluar gjatë gërmimeve në tri lokacione, ku në të parin janë gjetur mbetjet e 13 personave, në të dytin të katër personave dhe në të tretin të gjashtë personave.
“Sekuestrimi i armatimit dhe zbulimi i tri varrezave masive ka ardhur si rezultat i një hetimi intensiv të institucioneve që u ka paraprirë shtrirja e sovranitetit edhe në veri, sundimi i ligjit dhe bashkëpunimi institucional. Zbulimi i varrezave masive ka nxjerrë në pah dimensionin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Veriu i vendit, pos që ishte skenë e krimeve, maltretimeve... u shfrytëzua edhe për fshehje të trupave”, ka thënë Sveçla.
Ai ka theksuar se institucionet e Kosovës nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për viktimat e luftës.
Sveçla ka reaguar edhe ndaj, siç e ka cilësuar ai, heshtjes së Serbisë dhe Listës Serbe lidhur me zhvillimet e fundit në veri, përfshirë zbulimin e varrezave masive dhe sekuestrimin e armatimit.
“Është shqetësuese heshtja e shtetit të Serbisë dhe dorës së saj të zgjatur në Kosovë, Listës Serbe, për këto zhvillime, pra për varrezën masive dhe armët e konfiskuara. Heshtja e tyre në fakt është mbështetje e hapur për planifikuesit, organizatorët dhe realizuesit e tyre”, ka deklaruar Sveçla.
Ministri në detyrë ka bërë të ditur se armatimi i sekuestruar është gjetur në 12 lokacione të ndryshme dhe se nga sot ai do t’i nënshtrohet ekzaminimeve dhe analizave të detajuara.
Sipas Sveçlës, qëllimi i hetimeve është përcaktimi i origjinës dhe përdorimit të armatimit, si dhe verifikimi i mundësisë së lidhjes së tij me rastet që po hetohen, përfshirë edhe rastin e 23 personave, mbetjet mortore të të cilëve janë gjetur së fundmi.
“Armatimi që shihni sot para jush është gjetur në 12 lokacione të ndryshme. Nga sot ai do t’i nënshtrohet ekzaminimit dhe analizave të detajuara me qëllim të përcaktimit të origjinës, përdorimit dhe lidhjeve me rastet e hetuara, përfshirë edhe ekzaminimin e së paku 23 personave, por edhe rasteve të tjera kriminale”, ka thënë tutje Sveçla./Telegrafi.


