Superliga e Kosovës nis fuqishëm, plot 25 gola në xhiron e parë
Klubet e Superligës së Kosovës e kanë nisur fuqishëm sezonin e ri, duke e shfaqur kualitetin ofansiv qysh në xhiron e parë.
Vetëm në xhiron e parë, në elitën e futbollit kosovar u realizuan plot 25 gola.
Drenica – Dukagjini ishte e vetmja sfidë, ku asnjëra nga klubet nuk arriti ta “tundë” rrjetën e ekipit kundërshtar, kësisoj u pajtuan me një barazim pa gola (0-0).
Sfida me më së shumti gola ishte ndërmjet Dritës dhe Llapit, plot tetë – ku “Intelektualët” arkëtuan pikët e plota me një triumf 5-3.
Pas kësaj, Malisheva e “shkatërroi” ekipin e sapo promovuar Vushtrrinë, me rezultat 1-6.
Sfidë me shumë gola ishte edhe Prishtina – Ballkani, ndeshje në të cilën “Plisat” fituan me rezultat 4-2.
Ndërkohë, ndeshaj e fundit ishte mes Feronikelit ’74 dhe Gjilanit, ku mysafirët morën pikët e plota me rezultat 1-3. Kësisoj, në këtë xhiro u realizuan plot 25 gola./Telegrafi/


