Please enter at least 3 characters.

Sonte, Shqipëria ngjitet në skenën e Eurovisionit me artistin Alis – ja si mund të votoni nga Kosova

Sonte, Alis ngjitet në skenën e madhe të Eurovision Song Contest si përfaqësuesi i sivjetmë i Shqipërisë në festivalin evropian.

Artisti shkodran përfaqëson vendin me këngën Nan, një këngë që përcjell një mesazh emocional e të fortë dhe mallin e nënës për fëmijët në mërgim.

Performanca e Alis pritet me interes të madh nga publiku shqiptar dhe fansat e Eurovision-it, ndërsa mbështetja për artistin ka qenë e fuqishme në rrjetet sociale dhe komunitetet shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Me stilin e tij unik dhe interpretimin emocional, ai synon të sjellë një paraqitje dinjitoze për Shqipërinë në një nga skenat më prestigjioze muzikore në Europë.

Sonte, Alis performon i 13-ti, njëherësh edhe numri me të cilin duhet ta votoni.

Për të mbështetur Alisin nga Kosova, votimi mund të bëhet onlajn përmes platformës zyrtare të Eurovision-it: esc.vote, ani se vendi ende nuk merr pjesë në festival; ju mund të votoni onlajn duke filluar nga tani përmes këtij linku.

Ndërkohë, shqiptarët në diasporë mund të votojnë edhe përmes SMS-ve dhe thirrjeve sipas udhëzimeve të televotimit në shtetet ku ndodhen, por vetëm pas mbarimit të performancave sonte.


Publiku ka mundësi të votojë deri në 10 herë, duke i dhënë kështu më shumë mbështetje përfaqësuesit shqiptar në garën evropiane.

Sipas rregullave të Eurovision-it, publiku nuk mund të votojë për shtetin që përfaqëson vendi i tyre. Kjo do të thotë se shikuesit në Shqipëri nuk mund të votojnë për Shqipërinë, ndërsa votat për Alisin mund të jepen nga shtete të tjera pjesëmarrëse dhe diaspora shqiptare jashtë vendit.