Please enter at least 3 characters.

Seanca ndaj Slavko Simiqit shtyhet për 9 tetor

E plotësuar: Seanca ndaj Sllavko Simiqit, nënkryetar i Listës Serbe dhe njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, i cili po përballet me aktakuzë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, është shtyrë për 9 tetor në orën 13:30.

Slavko Simiq deklarohet i pafajshëm për sulmin ndaj gazetarëve në Leposaviq

E plotësuar: Pas paraqitjes së tij në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, nënkryetari i Listës Serbe, Slavko Simiq, i cili akuzohet për përfshirje në sulmin ndaj gazetarëve në Leposaviq në vitin 2023, u deklarua publikisht i pafajshëm dhe distancoi veten nga incidenti.

“Sot jam paraqitur në Gjykatën Themelore në Mitrovicë për incidentin që ndodhi në vitin 2023 kur u sulmuan gazetarët në Leposaviq. Dua të them se absolutisht nuk kam asnjë lidhje me atë rast dhe se jam absolutisht i pafajshëm", u shpreh Simiq para mediave, duke shtuar se do të deklarohet njësoj edhe gjatë procedurës gjyqësore.

Simiq theksoi se përmes gjithë angazhimit të tij politik është përpjekur të promovojë paqen, dialogun dhe zgjidhjen institucionale të çështjeve.

Ai theksoi se respekton punën e gazetarëve dhe nuk mbështet asnjë formë dhune ndaj tyre.

“Parimi im themelor dhe kodi im politik mbështeten në atë që gazetari është i shenjtë dhe se gazetarin nuk guxon askush ta prekë. Ashtu jam sjellë ndaj gazetarëve si në veri, ashtu edhe në jug… gjithmonë u kam dalë në ndihmë dhe u kam dhënë mbështetje, si teknike ashtu edhe në çdo kuptim tjetër”, tha ai.

Sipas tij, ai kishte reaguar publikisht edhe në kohën kur ndodhi incidenti, duke e dënuar sulmin ndaj ekipeve mediatike dhe duke e mohuar çdo përfshirje të tij.

“Edhe sot, para kësaj gjykate themelore në Mitrovicë, publikisht deklarohem dhe e dënoj ashpër sulmin ndaj gazetarëve dhe ekipeve të gazetarëve".

Simiq u bëri thirrje mediave që ta ndjekin procesin gjyqësor me transparencë dhe objektivitet, duke ritheksuar se është i bindur në pafajësinë e tij.

“Unë nuk frikësohem nga asgjë, jam absolutisht i pafajshëm. Drejtësia dhe e vërteta janë në anën time dhe jam i bindur se do t’i dëshmoj”. /Telegrafi/


----------------------------------------------------------------------------------------

Simiq mbërrin në Gjykatë, akuzohet për sulmin ndaj gazetarëve në Leposaviq

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës sapo ka arritur nënkryetari i Listës Serbe, Slavko Simiq i cili akuzohet për sulmin ndaj gazetarëve në Leposaviq në vitin 2023.

Ndërsa, sot është shqyrtimi fillestar lidhur me këtë çështjen penale ku i akuzuar është edhe Urosh Vukasinoviq.

Sipas Prokurorisë, Simiq akuzohet për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, pasi dyshohet se me dashje ka marrë pjesë në një turmë prej më shumë se tetë personash, të cilët sulmuan gazetarët me shok bomba, grushte, shqelma dhe mjete të forta si tulla dhe kube betoni, duke shkaktuar lëndime të rënda trupore për dy prej tyre.

Po ashtu, i pandehuri U.V. akuzohet për veprat penale “Sulmi” dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, për përfshirje direkte në përdorimin e forcës ndaj gazetarëve.

Gjatë incidentit të 16 qershorit 2023 në Leposaviq, së paku nëntë gazetarë dhe kameramanë u lënduan, ndërsa më së rëndi u godit kameramani i RTK-së, Bardh Bekteshi, nga një turmë e maskuar që veproi me dhunë ndaj përfaqësuesve të mediave. /Kp/