Si të riktheni bukurinë e drurit: Zgjidhje të thjeshta për njollat më të vështira të ujit
Njollat e ujit në mobilet prej druri shpesh mund të prishin pamjen edhe të shtëpive më të rregulluara
Edhe pse shumica e njerëzve përdorin tabakë, aksidentet ndodhin - një gotë uji pa mbajtëse, lëng i derdhur apo kondensimi nga pijet e ftohta mund të lënë njolla të shëmtuara në sipërfaqet prej druri.
Fatmirësisht, ka mënyra për t’i hequr këto njolla të vështira pa përdorur produkte të shtrenjta.
Një nga truket më interesante dhe efektive është përdorimi i majonezës. Mjafton të aplikoni pak majonez mbi njollën me anë të një pecete letre dhe ta lini të veprojë për disa orë ose gjatë natës. Në mëngjes, hiqni majonezën e tepërt dhe pastaj pastroni sipërfaqen me uthull për të marrë shkëlqim më të mirë.
Një tjetër kombinim natyral efikas është përzierja e uthullës me vaj ulliri. Përzieni sasi të barabarta nga të dy përbërësit, aplikoni përzierjen mbi sipërfaqen prej druri dhe fërkoni në drejtim të fibrave të drurit me një leckë të butë. Uthulla do të heqë njollën, ndërsa vaji i ullirit do të ushqejë dhe do t’i rikthejë shkëlqimin drurit, transmeton Telegrafi.
Për ata që preferojnë të përdorin aparate shtëpiake - hekurosja mund të ndihmojë shumë. Mbulojeni njollën me një leckë pambuku dhe kaloni hekurin e ngrohur (në temperaturë të ulët) për disa sekonda mbi leckë. Nxehtësia ndihmon që lagështia të avullojë nga druri, pastaj sipërfaqja mund të pastrohet dhe të shkëlqejë më mirë me vaj.
Gjithashtu, pasta e dhëmbëve mund të përdoret si një mjet efikas për heqjen e njollave. Fërkoni pak paste dhëmbësh mbi njollë me një pecetë letre ose leckë, pastaj pastroni sipërfaqen me një leckë të lagur dhe më pas me një të thatë.
Pavarësisht metodës që zgjidhni, është e rëndësishme të trajtoni njollat sa më shpejt që t’i vini re, për të shmangur dëmtime më të thella të drurit. Këto truke të thjeshta mund të shpëtojnë mobilet tuaja prej druri dhe t’i ruajnë shkëlqimin dhe bukurinë natyrale për vite me radhë. /Telegrafi/


