Please enter at least 3 characters.

Si ndikon në industrinë e mbrojtjes amerikane, pezullimi i ndihmës ushtarake për Ukrainën?

President amerikan, Donald Trump ka pezulluar ndihmën ushtarake për Ukrainën, vetëm disa ditë pas një përplasjeje me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, kur e akuzoi atë se nuk ishte mjaftueshëm mirënjohës për mbështetjen amerikane.

Ndalimi i ndihmës ushtarake amerikane jo vetëm që ka pasoja të mëdha për luftën trevjeçare midis Ukrainës dhe forcave pushtuese ruse, por gjithashtu do të ndikojë në industrinë e mbrojtjes të SHBA-së, shpjegon reuters.

Sa ka shpenzuar SHBA-ja për ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës? Që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022, SHBA ka premtuar dhe shpenzuar të paktën 65 miliardë dollarë për ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës. Kjo ndihmë është shpërndarë kryesisht përmes dy mekanizmave: Autoriteti Presidencial për Tërheqje (PDA) dhe Iniciativa për Ndihmë të Sigurisë për Ukrainën (USAI).

Çfarë është Autoriteti Presidencial për Tërheqje? Më shumë se 31 miliardë dollarë armë dhe pajisje janë premtuar për Ukrainën përmes Autoritetit Presidencial për Tërheqje (PDA), i cili i jep presidentit fuqinë për të miratuar transferime të shpejta për vendet e huaja nga rezervat ushtarake të SHBA-së, pa pasur nevojë për miratimin e Kongresit.

Sipas një analize të reuters, më shumë se 20 miliardë dollarë pajisje dhe armë janë dorëzuar tashmë përmes kësaj skeme.

Ukraina është ende në pritje të një dërgese të madhe të mjeteve të blinduara, e cila nuk do të dorëzohet deri në mes të vitit 2025, sipas një zyrtari ukrainas që kërkoi të mbetet anonim. Aktualisht, këto mjete po rikonstruktohen në magazina në Evropë.

Çfarë është Iniciativa për Ndihmë të Sigurisë për Ukrainën (USAI)? SHBA ka blerë pothuajse 33.2 miliardë dollarë pajisje dhe armë të reja për Kievin drejtpërdrejt nga eksportuesit e mbrojtjes amerikanë dhe aleatë. Këto fonde janë miratuar nga Kongresi.

USAI është një strategji afatgjatë për armatosjen e Ukrainës. Do të duhen vite që të gjitha këto armë të prodhohen dhe të dorëzohen në fushën e betejës. Ky mekanizëm siguron një rrjedhë të qëndrueshme të armëve moderne për Ukrainën dhe, në të njëjtën kohë, të ardhura të sigurta për prodhuesit amerikanë të mbrojtjes.

Sasia e ndihmës që ende nuk është dorëzuar nga kontratat amerikane është "dukshëm më pak se 15 për qind", sipas një zyrtari ukrainas. Disa nga armët që ende nuk janë dërguar përfshijnë sisteme të avancuara raketash dhe raketa.

Si ndikon kjo te kompanitë amerikane? Ndalimi i USAI-së ndikon jo vetëm në porositë aktuale, por edhe në planet e ardhshme të prodhimit dhe vendimet për investime të kompanive amerikane si L3Harris Technologies, Lockheed Martin Corp, RTX Corp dhe General Dynamics.

Është e pamundur që qeveria amerikane të anulojë porositë e armëve për Ukrainën që ende nuk janë dorëzuar. Megjithatë, mund të vendosë t'i mbajë ato për përdorim të brendshëm.

Uashingtoni duhet të plotësojë sërish rezervat e veta ushtarake dhe, në vend që të bëjë porosi të reja, mund të mbajë armët që fillimisht ishin destinuar për Ukrainën. Kjo do të zvogëlonte numrin e kontratave të reja për kompanitë amerikane.

Çfarë armësh janë dorëzuar në Ukrainë? Ndër armët dhe pajisjet që janë dorëzuar Ukrainës gjatë luftës përfshihen avionët luftarakë amerikanë F-16, raketa me rreze të gjatë ATACMS, sistemet e artilerisë raketore HIMARS, sistemet e raketave GMLRS, interceptues për mbrojtjen ajrore afatshkurtër, mjete zëvendësuese, municion për raketat tokë-ajër dhe artileri. /Telegrafi/