Please enter at least 3 characters.

Shqipëria brenda 2025 do të hartojë draft-ligjin për kriptovalutat dhe asetet digjitale

bitcoin ethereum asian crypto funds huobi
2021/12/bitcoin-ethereum-asian-crypto-funds-huobi.jpg
2021/12/bitcoin-ethereum-asian-crypto-funds-huobi.jpg

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka bërë të ditur se brenda këtij viti pritet të finalizohet draft-ligji për kriptovalutat dhe asetet digjitale, një nismë që synon të krijojë një kuadër të qartë rregullator për këtë treg në zhvillim.

Gjatë raportimit vjetor në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, drejtoresha e përgjithshme e AMF, Mimoza Kaçi deklaroi se procesi i hartimit të ligjit ka avancuar ndjeshëm dhe tashmë është përgatitur një draft i parë, i cili është hedhur për konsultim me grupet e interesit.

“Kemi punuar për draftimin e ligjit dhe është përgatitur një version i parë. Ai është dërguar për konsultim me grupet e interesit. Parashikojmë që drafti i plotë të finalizohet brenda këtij viti”, tha Kaçi, raporton ATSH, përcjell KosovaPress.

Kaçi informoi se gjatë vitit 2024 është kryer një vlerësim krahasues i kuadrit ligjor vendas me atë të Bashkimit Evropian, ku rregullorja e re për kriptovalutat ka hyrë në fuqi plotësisht këtë vit.

“Procesi edhe në vendet e BE-së nisi me një implementim gradual, ndërsa prej këtij viti po zbatohet në mënyrë të plotë”, shtoi ajo.

Pjesë e punës për hartimin e ligjit janë edhe Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe ajo e Ekonomisë dhe Inovacionit, me qëllim ndërtimin e një baze ligjore që garanton transparencë, siguri dhe mbrojtje të investitorëve në tregun e kriptovalutave.

Ekspertët përllogarisin se numri i qytetarëve që kanë portofol digjital llogaritet mbi 80 mijë. Pak ditë më parë kreu i SPAK-ut raportoi se në vitin 2024 janë sekuestruar kriptovaluta në vlerë prej 11 milionë eurosh.