Shkëndija ruan ritmin për titull, Besa rikthen shpresat për balotazh
Dramë në Strugë me golin e vonë të Latifit për Shkëndijën, ndërsa Besa e Dobërdollit fiton betejën direkte ndaj AP Brerës. Kampionati mbetet edhe pa një ekip, pasi sot Gostivari nuk u paraqit në ndeshjen ndaj Pelisterit, njofton Telegrafi.
Liga e Parë e Maqedonisë së Veriut po hyn në fazën përfundimtare me një situatë gjithnjë e më dramatike. Pas tërheqjes së Voska Sport javën e kaluar, këtë fundjavë kampionatit i tha lamtumirë edhe Gostivari, që nuk u paraqit në ndeshjen ndaj Pelisterit. Kështu, këtë sezon nuk do të ketë rënie nga liga, ndërsa gara për titull dhe balotazh vazhdon me ritëm të lartë.
Në Strugë u luajt një nga ndeshjet më të zjarrta të javës. Edhe pse pa ndonjë motiv tabelar, Struga Trim Lum bëri gjithçka për ta ndalur Shkëndijën. Vendasit kaluan në epërsi në minutën e 49-të me golin e Siprovskit dhe i vështirësuan misionin skuadrës kuqezi. Por Shkëndija e tregoi përvojën dhe ambicien për titull duke reaguar në momentin e duhur. Në minutën e 81-të, pas një këndore të ekzekutuar nga Besart Ibraimi, ishte Liridon Latifi që me një goditje të saktë me kokë vendosi shifrat përfundimtare 1-1.
Në një tjetër duel të rëndësishëm për fundin e tabelës, Besa e Dobërdollit arriti fitore jetike përballë AP Brerës, duke ngushtuar u barazuar me pikë në pozitën që çon në balotazh. Neziri zhbllokoi rezultatin në minutën e 9-të, ndërsa pjesa e parë u mbyll 1-0. Miqtë nga Strumica u rikthyen përkohësisht në lojë me golin e Gjorgievskit në minutën e 71, por Besa reagoi shpejt dhe pesë minuta më vonë, Stojanovski realizoi për fitoren 2-1.
Ndërkohë, dueli mes Rabotniçkit dhe Sileksit, rivalit të vetëm të Shkëndijës për titullin, përfundoi pa gola. Me tri xhiro të mbetura, gjithçka mbetet e hapur, me Shkëndijën dhe Sileksin që garojnë kokë më kokë për kreun, ndërsa Besa dhe AP Brera përplasen për balotazh.
Në fund, befasia e madhe e javës ndodhi në Çair, ku Shkupi u mposht 0-2 nga Vardari, duke zhgënjyer para tifozëve të vet.
Ndeshjet e ardhshme të javës së 31-të do të zhvillohen si vijon:
- 06.05 – 17:00: Vardari – Struga
- 07.05 – 17:00: Shkëndija – Rabotniçki, AP Brera – Shkupi, Tikveshi – Besa


