Shisnin drogë në zonat e pushuesve në Shëngjin, arrestohen tre kosovarë
Policia e Shtetit ka njoftuar se ka identifikuar dhe arrestuar tre persona që shitnin doza të lëndëve të ndryshme narkotike, në zonat e frekuentuara nga pushuesit, në Shëngjin.
Policia njofton se janë në kërkim edhe të një personi, transmeton Telegrafi.
"Sekuestrohen doza kokaine dhe kanabisi, kanabis në trajtë çokollate, MDMA, ekstazi, kërpudha haluçinogjene, 1 automjet dhe 3 celularë që dyshohet se përdoreshin për këtë veprimtari kriminale. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i hetimeve intensive të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, organizuan dhe finalizuan në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, operacionin policor të koduar Kamuflimi", thuhet në njoftim.
Si rezultat i operacionit: u arrestuan në flagrancë shtetasit kosovarë A. G., 21 vjeç, E. T., 28 vjeç, të dy banues në Kosovë, dhe shtetasi francez S. B., 43 vjeç, banues në Francë;
Po ashtu u bë e ditur se u shpall në kërkim shtetasi kosovar A. G., 30 vjeç, banues në Kosovë.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shitnin doza të lëndëve të ndryshme narkotike në zonat turistike të Shëngjinit.
Gjatë kontrollit fizik, 3 shtetasve të arrestuar iu gjetën doza të lëndëve narkotike.
"Nga këqyrja e celularëve të sekuestruar, u gjetën komunikime të këtyre shtetasve për organizimin e kësaj veprimtarie kriminale. Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale", bëhet e ditur në njoftim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", kryer në bashkëpunim. /Telegrafi/


