SHBA zhvendos bombarduesit B-2 në ishullin e Oqeanit Indian - në një shfaqje masive të forcës ndaj Houthi-ve dhe Iranit
Pentagoni ka dërguar të paktën gjashtë bombardues B-2 – rreth 30% të flotës së bombarduesve të Forcave Ajrore të SHBA-së – në ishullin Diego Garcia në Oqeanin Indian, në atë që analistët e kanë quajtur një mesazh për Iranin teksa tensionet sërish janë rritur në Lindjen e Mesme.
Dislokimi vjen ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe shefi i Mbrojtjes, Pete Hegseth paralajmërojnë për veprime të mëtejshme kundër Iranit dhe përfaqësuesve të tij, ndërsa aeroplanët amerikanë vazhdojnë të sulmojnë rebelët Houthi të mbështetur nga Teherani në Jemen, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Imazhet e marra nga kompania private e imazheve satelitore Planet Labs të martën tregojnë gjashtë bombarduesit amerikanë në pistën e ishullit, si dhe strehimore që ndoshta mund të fshehin të tjerë.
Cisternat dhe aeroplanët e mallrave janë gjithashtu në bazën ajrore të ishullit, një bazë e përbashkët amerikano-britanike e cila është 3,900 kilometra (2,400 milje) nga bregu jugor i Iranit.
Pa përmendur drejtpërdrejt B-2-të, zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell konfirmoi se ushtria amerikane po dërgon aeroplanë shtesë dhe "asete të tjera ajrore" në rajon për të përmirësuar pozicionin mbrojtës të Amerikës në rajon.
"Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre mbeten të përkushtuar ndaj sigurisë rajonale ... dhe janë të përgatitura t'i përgjigjen çdo aktori shtetëror ose joshtetëror që kërkon të zgjerojë ose përshkallëzojë konfliktin në rajon", ka thënë Parnell.
Analisti ushtarak i CNN, Cedric Leighton theksoi se vendosja e aeroplanëve luftarakë shumë të sofistikuar, 2 miliardë dollarë, ishte një sinjal për kundërshtarët e SHBA-së.
“Dislokimi i këtyre B-2 është krijuar qartë për të dërguar një mesazh – ndoshta disa mesazhe – në Iran”, tha ish-koloneli i Forcave Ajrore të SHBA-së.
"Një prej tyre mund të jetë një paralajmërim për të ndërprerë mbështetjen e Houthi-ve në Jemen. Një mesazh tjetër që administrata Trump mund t'i dërgojë Iranit është se ai dëshiron një marrëveshje të re bërthamore (për të zëvendësuar marrëveshjen "e keqe" nga e cila Trump tërhoqi SHBA në mandatin e tij të parë) dhe nëse Irani nuk fillon të negociojë me SHBA-në, pasojat mund të jenë shkatërrimi i programit të armëve bërthamore të Iranit", tha Leon.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Houthi, Trump filloi të shtonte veprimet ushtarake kundër Houthi-ve në mes të marsit, me sulme ajrore që vranë të paktën 53 njerëz dhe plagosën pothuajse 100 të tjerë në Jemen.
Sulmet kanë vazhduar që atëherë, ndërsa Houthi-t kërcënojnë anijet luftarake të SHBA-së në rajon, në sulme që militantët thonë se janë në solidaritet me Gazën, ndërsa ajo përballet me bombardimet nga Izraeli, një aleat kyç i SHBA-së. /Telegrafi/


