Seanca gjyqësore për rastin "Pulse", prindërit e viktimave ankohen për zvarritje të procesit
Në seancën e sotme për zjarrin tragjik në diskotekën “Puls” në Koçan, mbrojtja e të akuzuarve drejtoi një sërë pyetjesh ndaj ekspertëve, profesor Goran Markovski dhe profesoreshës Dushica Angjelkoviq, kryesisht mbi statusin urbanistik të objektit.
Avokati i ish‑kryetarit të Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, pyeti nëse në Ligjin për ndërtim ekziston definicion për “ndërtesë për shërbime hotelerie”.
Eksperti Markovski sqaroi se kjo kategori nuk është e veçuar në Ligjin për ndërtim, por lidhet me Ligjin për urbanizëm. Ndërkohë, Angjelkoviq theksoi se ekipi ka punuar mbi bazën e ekstraktit nga Plani Urbanistik Detajuar, ku objekti figuron në zonë për industri të lehtë dhe biznes të vogël.
Prindërit e viktimave shprehën pakënaqësi për mënyrën e zhvillimit të procesit, duke akuzuar mbrojtjen për zvarritje.
Nëna Mita Taseva tha se pyetjet e përsëritura nuk sjellin fakte të reja, por vetëm humbin kohë. Babai Dragi Stojanov shtoi se familjet nuk do të dorëzohen:
“Duan ta zvarrisin gjyqin dhe të na lodhin, por ne nuk dorëzohemi. Do të luftojmë për drejtësinë derisa të na rrahë zemra.”
Procesin e udhëheq gjyqtarja Diana Gruevska‑Ilievska, ndërsa aktakuzën e përfaqëson një ekip prej 15 prokurorësh publikë.
Me përfundimin e ekspertizës ndërtimore pritet të mbyllet faza e provave të Prokurorisë, pas së cilës mbrojtja do të fillojë me paraqitjen e provave të saj.


