Schumi vazhdon të luftojë për t’iu kthyer jetës, ai tash peshon vetëm 45 kg
Konfirmimi vjen nga kreu i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit, Jean Todt. Ish-drejtuesi i Ferrarit mbetet ende i lidhur me kampionin gjerman të Formula 1 dhe i ka qëndruar pranë gjatë këtyre muajve të vështirë.
Todt preket sa herë që flet për Schumacher ndërsa rrëfen: “E vizitoj shpesh Michael, ai po vazhdon të luftojë”. Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1 kaloi gjashtë muaj në gjendje kome artificiale, përpara se të transferohej në një spital në Losanne të Zvicrës.
Më Shtator 2014 ish-piloti vazhdon rehabilitimin në shtëpi. Drejtuesi i FIA-s e cilëson Schumacher “një mik të shrenjtë” dhe kërkon nga të gjithë që ti “qëndrojnë pranë familjes së tij”. Todt mendon se ndonjëherë vihet re një tendencë për ta harruar situatën e vështirë që po kalon Michael dhe familja e tij.
Informacionet më të fundit rreth kampionit gjerman janë ato të përpara një muaji. Sipas të dhënave, të pakonfirmuara nga të afërmit, tashmë Schumacher peshon vetëm 45 kilogramë, transmeton SuperSport. Ai nuk është në gjendje që të ecë apo të flasë dhe vetëm pjesërisht i ndërgjegjshëm për ambientin që e rrethon.
Pranë gjermanit, përveç familjes, qëndrojnë edhe 15 specialistë, neurologë e fizioterapistë. Sipas njërit prej mjekëve, nevojiten të paktën tre vjet për të parë përmirësime minimale të gjendjes së Michael.


