Scheffer: Kosova në periudhë delikate, dhuna nuk është opsion
“Kjo është periudhë delikate për Kosovën. Dhuna nuk është opsion, ajo nuk sjell zgjidhje politike dhe ajo nuk do të tolerohet. KFOR-i do të bashkëpunojë me policinë e UNMIK-ut dhe SHPK-në. Kushdo që beson se dhuna mund të jetë zgjidhje e ka gabim, dhuna nuk do të tolerohet”, ka thënë Scheffer, pas takimit me kreun e KFOR-it, gjeneralin Xavier de Marnhac, Eipin e Unitetit dhe liderin e PDK-së Hashim Thaçi si dhe me përfaqësuesit e serbëve kosovarë.
Scheffer ka thënë se procesi politik duhet të lejohet të vazhdojë rrjedhën e tij normale. NATO përkrah Treshen e Grupit të Kontaktit dhe do të vazhdojë me këtë përkrahje deri në fund, ka konfirmuar Scheffer.
Ndërkohë, kreu i NATO-së i ka porositur politikanët vendorë që të manifestojnë pjekuri dhe përgjegjësi. “Gjatë kësaj periudhe delikate, çështja kryesore është lidershipi i përgjegjshëm. Nuk dua të spekulojë dhe nuk dua të përdorë fjalën krizë. Ne ndodhemi në periudhë delikate. Të lëmë procesin politik të ndjek rrjedhën e tij dhe kjo vlen për të gjithë, edhe për Prishtinën edhe për Beogradin. Maturi dhe përgjegjësi – për këtë bëhet fjalë tani” ka deklaruar Scheffer.
Në fund, Scheffer ka thënë se komandanti i KFOR-it do të ketë gjithë mbështetjen e duhur politike nga selia e Aleancës në Bruksel, lidhur me vendimet që do të merr për operimin e trupave në Kosovë.


