Please enter at least 3 characters.

Sali: Ekspertizë e synuar dhe përgjegjësi institucionale për zbatimin më të shpejtë të reformave

Bekim Sali
Bekim Sali
Bekim Sali

Sot, në Qendrën për Trajnime të Ministrisë për Çështje Evropiane, u mbajt prezantimi i Strategic Priorities Expertise Facility (PREF), një mekanizëm i propozuar nga Kombet e Bashkuara për të siguruar mbështetje të shpejtë dhe të synuar me ekspertizë për institucionet përgjegjëse për zbatimin e reformave.Në hapje të takimit, Zëvendëskryeministri i Parë i Qeverisë dhe Ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, falënderoi Kombet e Bashkuara për partneritetin e vazhdueshëm dhe theksoi rëndësinë e këtij mekanizmi në një periudhë kur institucionet po punojnë paralelisht në zbatimin dhe planifikimin e reformave që duhet të japin rezultate konkrete dhe të matshme.

“Zbatimi i angazhimeve nga Agjenda e Reformave do të përcaktojë jo vetëm ritmin e progresit tonë në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, por edhe cilësinë dhe kredibilitetin e procesit më të gjerë të integrimit evropian. Prandaj, çdo hap reformues duhet të trajtohet me seriozitet, përgjegjësi profesionale dhe fokus të fuqishëm te rezultatet”, theksoi Sali.

PREF synon t’u mundësojë institucioneve qasje të shpejtë dhe të strukturuar te ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë të verifikuar paraprakisht. Ekspertiza përkatëse mund të identifikohet brenda dhjetë ditëve pune pas miratimit të kërkesës, duke mundësuar mbështetje të synuar për përgatitjen e legjislacionit kompleks, vlerësimeve të ndikimit, udhërrëfyesve, strategjive dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.

Ministri Sali nënvizoi se ekspertiza e jashtme nuk e zëvendëson përgjegjësinë institucionale.

“Ekspertët e jashtëm mund të ofrojnë njohuri, analiza dhe zgjidhje teknike, por prioritetet duhet t’i përcaktojmë ne, procesin duhet ta udhëheqim ne dhe rezultatet përfundimtare duhet t’i zbatojmë dhe t’i kemi në pronësi ne.”

Institucionet u ftuan që t’i shqyrtojnë me kujdes hapat e Agjendës së Reformave nën përgjegjësinë e tyre dhe të identifikojnë fushat ku ekspertiza e specializuar mund të përshpejtojë zbatimin, të zgjidhë pengesat teknike dhe të ndihmojë në respektimin e afateve të dakorduara.

Ministria për Çështje Evropiane do të vazhdojë të mbështesë institucionet gjatë këtij procesi dhe të sigurojë koordinimin me Kombet e Bashkuara.

“Suksesi i Agjendës së Reformave nuk do të matet me numrin e planeve që miratojmë apo takimeve që organizojmë, por me atë nëse reformat përfundojnë në kohë, nëse institucionet funksionojnë më mirë, nëse qytetarët dhe bizneset shohin përmirësime konkrete dhe nëse vendi ynë afrohet drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”, përfundoi Sali.