Sala Jashari prek me fjalët për Sahit Jasharin: Ti je pjesë e historisë së Kosovës
Kandidatja për deputete, Sala Jashari, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Komandantit të UÇK-së, Sahit Jashari, duke e kujtuar atë si një figurë të rëndësishme të historisë së Kosovës dhe burim frymëzimi për brezat e rinj.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka shprehur dhimbjen për humbjen e të afërmit të saj, duke theksuar se në momente të tilla fjalët nuk mjaftojnë për të përshkruar ndjenjat e pikëllimit.
"Mixhë, vështirë të flas. Në raste të tilla, fjalët heshtin dhe qetësia sfidon edhe psherëtimat", ka shkruar Sala Jashari.
Ajo e ka përshkruar Sahit Jasharin si një njeri të fortë, të formuar nga guximi dhe dashuria për atdheun, duke vlerësuar kontributin e tij në historinë e vendit.
"Ti, njeri i çeliktë, i farkëtuar nga guximi dhe dashuria për atdheun. Jetove një jetë plot vepra, e emri yt ka peshë të madhe për ne; je pjesë e historisë së Kosovës", ka thënë ajo.
Në mesazhin e saj, Sala Jashari është shprehur se kujtimi për Sahit Jasharin do të mbetet i paharrueshëm dhe se vepra e tij do të vazhdojë të shërbejë si motivim për shumë qytetarë.
"Sot, më lejo të të nderoj, të përkulem para secilit kujtim që krijove dhe që ua le trashëgim brezave. Ti, qëndistar i lirisë. I paharrueshëm është kujtimi për ty. Do të mbetesh motiv për ne dhe, për shumëkënd, arsyeja që na mban të vazhdojmë ta duam vendin tonë", ka shkruar ajo.
Në fund të mesazhit të saj, kandidatja për deputete i ka shprehur mirënjohje të ndjerit për kontributin e dhënë.
"Lavdi jetës dhe veprës sate! Faleminderit për gjithçka mixhë!", ka përfunduar Sala Jashari. /Telegrafi/


