Please enter at least 3 characters.

Rutte: Rusia po humb më shumë njerëz në një muaj sesa Bashkimi Sovjetik në 10 vite në Afganistan

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka paralajmëruar sot të rinjtë rusë se ka shumë gjasa të vriten nëse i bashkohen luftës së Rusisë në Ukrainë.

“Burra si ju që i bashkohen luftës nuk do të trajnohen. Pajisjet që do t’ju jepen janë nën standard. Ekziston një probabilitet shumë i lartë që të vriteni ose të plagoseni”, tha Rutte gjatë një konference për shtyp në Kiev, duke iu drejtuar drejtpërdrejt “të rinjve rusë dhe familjeve të tyre”.

“Dhe ka shumë gjasa që, nëse plagoseni, të mbeteni duke vuajtur në baltë dhe të vdisni”, shtoi ai.

Shefi i aleancës ushtarake tha se Rusia po pëson humbje “krejtësisht tronditëse” në Ukrainë, ku sipas tij çdo muaj vriten mbi 30 mijë ushtarë rusë, duke përsëritur shifrat që i ka përmendur edhe më herët.

“Kjo do të thotë humbje më e madhe në një muaj sesa që Bashkimi Sovjetik pësoi gjatë dhjetë viteve të luftës në Afganistan në vitet ’80”, tha kreu i NATO-s dhe shtoi se “kjo nuk është diçka abstrakte. Ka shumë gjasa që të jeni ju”.

Rusia, e cila konfliktin e përshkruan zyrtarisht si “operacion special ushtarak” dhe u premton rekrutëve paga të larta, ka pretenduar prej kohësh se zgjerimi i NATO-s drejt lindjes dhe mundësia që Ukraina të anëtarësohet në Aleancë përbëjnë kërcënim ekzistencial për sigurinë e saj. /Telegrafi/