Rruga Kaçanik–Kërbliq–Viti pranë përfundimit, investimi kap mbi 2 milionë euro
Punimet në rrugën Kaçanik–Kërbliq–Viti janë afër përfundimit, ndërsa aktualisht po zhvillohet asfaltimi i pjesës së mbetur të këtij aksi rrugor.
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka vizituar nga afër punimet në këtë projekt, i cili, sipas Ministrisë, ka vlerë mbi 2 milionë euro.
Rruga ka gjatësi rreth 11 kilometra dhe gjerësi pesë metra.
Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, punimet kanë avancuar ndjeshëm dhe aktualisht po asfaltohet gjysma e mbetur e rrugës, duke e afruar projektin drejt përfundimit të plotë.
Përveç përmirësimit të qarkullimit dhe lidhjes së vendbanimeve, Ministria vlerëson se rruga pritet të krijojë mundësi të reja për zhvillimin e turizmit malor dhe bizneseve lokale.
Aksi rrugor do të lehtësojë edhe qasjen drejt zonave turistike të Kërbliqit, përfshirë dy ujëvarat e këtij fshati.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë të ditur se investimet në zonat malore synojnë përmirësimin e infrastrukturës, lidhjen më të mirë të vendbanimeve dhe krijimin e kushteve për zhvillim ekonomik e turistik. /Telegrafi/


