Ribashkimi me djemtë i kthen shpresën Britney Spears: Shpresoj të kem edhe një fëmijë
Britney Spears ka ndarë një dëshirë shumë personale me ndjekësit, duke zbuluar se shpreson që një ditë të ketë edhe një fëmijë.
Këngëtarja 44-vjeçare e bëri këtë rrëfim në Ditën e Baballarëve, teksa publikoi një video në rrjetet sociale ku shfaqej duke kërcyer me një fustan të verdhë dhe duke mbajtur në duar një kitarë të vogël.
Në përshkrimin e videos, ylli i muzikës pop tregoi se kitarat i kujtojnë foshnjat dhe se instrumentin që mbante e kishte blerë gjatë një udhëtimi në Meksikë, me shpresën se një ditë do të bëhet sërish nënë.
Britney është nënë e dy djemve, Sean Preston, 20 vjeç dhe Jayden James, 19 vjeç, të cilët i ka nga martesa me ish-bashkëshortin Kevin Federline.
Marrëdhënia e saj me djemtë duket se është përmirësuar ndjeshëm kohët e fundit, pas një periudhe të vështirë që pasoi ndarjen e tyre dhe problemet personale të këngëtares.
Sipas burimeve të afërta të cituara nga mediat amerikane, Spears po kalon një periudhë pozitive pas trajtimit rehabilitues, të cilit iu nënshtrua vullnetarisht pas arrestimit në muajin mars për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.
Thuhet se rehabilitimi e ka ndihmuar të gjejë qetësinë dhe të nisë një kapitull të ri në jetën e saj.
Po ashtu, raportimet tregojnë se djemtë e saj kanë luajtur një rol vendimtar në këtë proces.
Ata e kanë mbështetur me dashuri, por njëkohësisht i kanë bërë të qartë se duhej të pranonte ndihmën profesionale nëse dëshironte të ruante marrëdhënien me ta. /Telegrafi/


