Rënia e flokëve shpesh është pasojë e modelit të gabuar të flokëve – këto janë zgjedhjet më të këqija
Ekuilibri është çelësi: ndryshoni modelet e flokëve dhe më shpesh lërini të bien lirshëm
Kombinimi i ajrit të ftohtë, ngrohjes qendrore dhe mbajtjes së kapelës mund të rezultojë me flokë pa jetë dhe pa shkëlqim. Zbokthi është një problem i shpeshtë në këto kushte, ndërsa shkaktarë kryesorë janë gabimet e përditshme, higjiena e dobët, larja e parregullt e flokëve, përdorimi i tepruar i shamponëve të fortë, pajisjeve për stilizim, por edhe modelet e flokëve.
Shfaqen dhimbje, irritim dhe kruarje.
Dermatologia dr. Vanita Ratan thotë se edhe modeli i flokëve, si dhe mënyra se si i krehim, mund të jenë burim problemesh. Flokët e stilizuara në bisht të ngritur lart janë një nga zgjedhjet më të këqija.
– Tërheqja e vazhdueshme e flokëve në bishta të shtrënguar, topuzë apo gërsheta krijon presion të fortë në skalp. Stresi mekanik mund të kufizojë qarkullimin normal të gjakut dhe të shkaktojë inflamacion të folikulave, si dhe ndjesi dhimbjeje, irritimi dhe kruarje, shpjegon dr. Ratan. Të gjitha këto mund të çojnë në zbokth të pakëndshëm dhe nevojë edhe më të madhe për kruarje, transmeton Telegafi.
Cilat modele flokësh nuk rekomandohen
Flokët e shtrënguar fort, edhe pse shpesh janë zgjidhja më e shpejtë për një pamje elegante, jo gjithmonë janë zgjedhja më e mirë, sepse mund të shkaktojnë komplikime shtesë.
– Nëse ky model flokësh përdoret çdo ditë, me kalimin e kohës mund të dëmtohet barriera mbrojtëse e skalpit, të përshpejtohet tharja e flokëve dhe të theksohet zbokthi, thekson dr. Ratan, duke shtuar se ky lloj stilizimi lidhet edhe me alopecinë traksionale, pra rënien e flokëve si pasojë e tërheqjes së zgjatur të fijes së flokut.
Më së shpeshti vërehet te personat që mbajnë bisht të lartë dhe të shtrënguar, topuzë, gërsheta, dredha apo ekstensione. Gjendja zakonisht është e përkohshme, por mund të çojë edhe në dëmtim të përhershëm të folikulave të flokut.
Ekuilibri është thelbësor
Dr. Ratan shpjegon se modelet e preferuara të flokëve mund të mbahen ende, por me më shumë kujdes.
– Ekuilibri është çelësi: ndryshoni modelet e flokëve dhe më shpesh lërini të bien lirshëm. Stilizoni flokët me goma të buta, të veshura me material tekstili, të cilat reduktojnë presionin dhe fërkimin, këshillon dr. Ratan. /Telegrafi/


