Please enter at least 3 characters.

Refuzimi i certifikimit të Listës Serbe, Cakolli e Krasniqi: Integriteti i KQZ-së po rrezikohet nga veprimet e disa anëtarëve

Analistët dhe njohësit e procesit zgjedhor kanë reaguar pas zhvillimeve të fundit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ku nuk u certifikua Lista Serbe, duke theksuar se disa anëtarë po e dëmtojnë integritetin e institucionit dhe besimin publik në zgjedhje.

Eugen Cakolli nga KDI vlerëson se disa çështje janë të sajuara për të nxjerrë në pah aktorë institucionalë.

“Mos me qenë çështjet e sajuara si ‘certifikimi i Listës Serbe’ dhe ‘votimi i diasporës’, disa akterë institucionalë as nuk do të vëreheshin nga publiku dhe as nuk do të kishin ndonjë peshë politike. Sepse roli i tyre politik varet krejt prej këtyre dramave të sajuara – ku zakonisht nis e mbaron i gjithë ‘kontributi’ i tyre”, ka shkruar Cakolli.

Ai ka shtuar se disa e kanë kthyer shpikjen e krizave në metodë pune për konsum politik. “Përndryshe, s’mbijetojnë dot politikisht,” shkruan Cakolli.



Edhe Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka theksuar se anëtarët e KQZ-së betohen se do t’i kryejnë detyrat me ndershmëri, paanshmëri dhe profesionalizëm, derisa ka përmendur edhe përgjegjësinë ligjore që kanë.

“Anëtarët e KQZ-së betohen se do t’i kryejnë detyrat me ndershmëri, paanshmëri dhe profesionalizëm. Ligji parasheh se mandati i një anëtari mund të ndërpritet kur sjelljet apo veprimet e tij e dëmtojnë seriozisht statusin dhe integritetin e Komisionit. Një vendim i tillë merret me shumicën prej dy të tretave (2/3) të anëtarëve të KQZ-së. Dy anëtarët e emëruar nga LVV kanë shfaqur sjellje që ose tregojnë mosnjohje elementare të ligjeve, ose synim të ndërgjegjshëm për të dëmtuar procesin zgjedhor. Këta dy anëtarë po i shkaktojnë dëm të drejtpërdrejtë integritetit të KQZ-së dhe besimit publik në procesin zgjedhor,” tha ai.

Krasniqi shton se anëtarët e tjerë të KQZ-së duhet të tregojnë guxim dhe t’i qëndrojnë pas betimit për profesionalizëm dhe paanshmëri, duke mbrojtur kështu integritetin e procesit zgjedhor.

Ndryshe më 2 vota pro, dy kundër dhe 7 abstenime, KQZ ka refuzuar certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit. /Telegrafi/