Please enter at least 3 characters.

Real Madridi po përgatitet për një verë largimesh – ky lojtar është i radhës në listë

Real Madridi pritet t’i nënshtrohet një riorganizimi të madh të skuadrës këtë verë, pas edhe një sezoni tjetër pa një trofe madhor, ndërsa disa largime tashmë kanë nisur të marrin formë.

Mes atyre që pritet të largohen janë figura me përvojë si Dani Carvajal dhe David Alaba, ndërsa e ardhmja e lojtarëve si Dani Ceballos mbetet e paqartë.

Një tjetër emër që tani po i afrohet gjithnjë e më shumë derës së daljes është Fran Garcia, pasi periudha e tij e dytë në “Bernabeu” nuk ka arritur ta vendosë plotësisht si titullar të rregullt.

Që prej rikthimit nga Rayo Vallecano në vitin 2023, Garcia ka pasur vështirësi të sigurojë minuta të qëndrueshme, duke luajtur shpesh pas Ferland Mendyt ose duke u lënë jashtë në varësi të opsioneve taktike, gjendjes së lojtarëve dhe kontekstit të ndeshjes.

Këtë sezon, mbrojtësi i majtë ka zhvilluar 23 paraqitje në garat zyrtare, por nuk ka arritur ta ngulitë vendin në formacionin startues, teksa zhvillimi i tij duket se është frenuar për shkak të mungesës së vazhdimësisë.

Sipas AS, tani ekziston një bindje e brendshme te Real Madridi se Garcia është i hapur të largohet nga klubi këtë verë, në kërkim të futbollit të rregullt.

Raportohet se mbrojtësi ishte afër largimit gjatë afatit kalimtar të janarit, por lëvizja u bllokua nga presidenti i klubit, Florentino Perez.

Pavarësisht atij vendimi, situata e tij nuk është përmirësuar ndjeshëm dhe burimet sugjerojnë se largimi i tij tani po bëhet gjithnjë e më i mundshëm, teksa klubi po mendon ta riformësojë pozicionin e mbrojtësit të majtë për sezonin e ardhshëm.

Real Madridi gjithashtu nuk e përjashton përforcimin e këtij pozicioni në afatin kalimtar të ardhshëm, çka mund ta ngushtojë edhe më shumë rrugën e Garciaas dhe ta përshpejtojë largimin e tij./Telegrafi/