Please enter at least 3 characters.

Real Madridi mund të paditet nëse Xabi Alonso zgjedh një lojtar kundër Osasunës

Real Madridi mund të përballet me një çështje ligjore nëse Xabi Alonso vendos të aktivizojë Franco Mastantuonon kundër Osasunës në ndeshjen hapëse të La Ligës.

Takimi do të zhvillohet të martën në “Santiago Bernabeu” dhe do të shënojë debutimin e Alonsos si trajner i Realit në kampionat, pasi ai zëvendësoi Carlo Ancelottin para Kupës së Botës për Klube.

43-vjeçari, ish-mesfushor i Los Blancos për pesë sezone, është i ngarkuar me detyrën për ta rikthyer titullin në Madrid.

Klubi e ka mbështetur në merkaton verore, duke sjellë emra si Trent Alexander-Arnold, Dean Huijsen dhe Álvaro Carreras. Gjithashtu, Reali investoi 38.5 milionë funte për mesfushorin sulmues Franco Mastantuono, i cili tashmë stërvitet me ekipin e parë.

Megjithatë, paraqitja e tij në “El Sadar” kundër Osasunës mund të hapë një problem të madh juridik. Sipas raportimeve të Miguel Galan në El Chiringuito, 18-vjeçari është regjistruar zyrtarisht me Real Madrid Castilla, ekipin B, për të shmangur disa kufizime të regjistrimit në skuadrën e parë.

Kjo manovër konsiderohet si një shkelje e mundshme e rregullores, dhe Osasuna mund të ndjekë të njëjtin precedent që kishte ndaj Barcelonës sezonin e kaluar me Inigo Martinezin, duke akuzuar Realin për “veprim në besim të keq”.

Nëse vendosin të ndërmarrin hapa ligjorë, Osasuna do të ketë në dispozicion 24 orë pas përfundimit të ndeshjes për të paraqitur ankesën e tyre. /Telegrafi/