Please enter at least 3 characters.

Raportohet se Kate Winslet do t’i bashkohet kastit të sezonit të dytë të "Adolescence"

Kate Winslet mund të jetë emri më i ri që do t’i bashkohet sezonit të dytë të serialit të suksesshëm të Netflix, "Adolescence".

Sipas raportimeve të Daily Mail, aktorja fituese e çmimit Oscar pritet të marrë rolin kryesor në një histori të re, ndërsa projekti është ende në fazën e zhvillimit.

Spekulimet për vazhdimin e serialit kanë qarkulluar prej muajsh, ndërsa aktori dhe producenti ekzekutiv Stephen Graham kishte lënë të kuptohej më herët se ai dhe skenaristi Jack Thorne po punonin mbi një projekt të ri.

Në ceremoninë e Golden Globe në janar, Graham deklaroi se ideja për vazhdimin ishte ende në zhvillim dhe se realizimi i saj mund të ndodhte brenda tre ose katër viteve.

Megjithatë, sipas një burimi të cituar nga media britanike, projekti duket se ka avancuar më shpejt nga sa pritej. “Po ndodh dhe është në zhvillim. Ka shumë entuziazëm që Kate është pjesë e tij”, ka thënë burimi.

Sezoni i parë i "Adolescence" u kthye në një fenomen global, duke rrëfyer historinë e një djali 13-vjeçar të akuzuar për vrasjen e një bashkëmoshatareje.

Seriali u vlerësua nga kritika, fitoi çmime të shumta dhe u bë një nga prodhimet më të ndjekura të Netflix, me mbi 145 milionë shikime.

Stephen Graham dhe Jack Thorne kanë bërë të ditur më herët se historia e personazhit Jamie ka përfunduar, ndaj sezoni i dytë pritet të sjellë një rrëfim krejtësisht të ri, duke ruajtur të njëjtin stil të veçantë të realizimit.

Deri më tani, as Kate Winslet dhe as Netflix nuk kanë konfirmuar zyrtarisht raportimet. /Telegrafi/