Raporti për Ohrin dorëzohet në UNESCO, Lutkov: Vendimi në qershor
Raporti mbi masat e marra për mbrojtjen e Ohrit dhe Liqenit të Ohrit është dorëzuar zyrtarisht në UNESCO, bëri të ditur sot ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov.
Vendimi nëse rajoni i Ohrit do të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore në rrezik pritet të merret në qershor, gjatë sesionit të ardhshëm të UNESCO-s, që do të mbahet në Korenë e Jugut. Ministri theksoi se institucionet duhet të jenë të përgatitura për çdo skenar të mundshëm.
“I morëm të gjitha të dhënat e nevojshme nga të gjitha institucionet dhe në bazë të atyre të dhënave, por edhe në bazë të komunikimit me Shqipërinë, u bë raporti. Në ndërkohë, formuam edhe shtab të krizës për ta ngritur gjithë situatën në një nivel shumë më të lartë. Shtabi i krizës kishte dy takime, kemi mendim nga ai. Javën e kaluar të hënën, pata takim me Komisionin kombëtar për UNESCO-n, kemi bërë mendim, e kaluam raportin dhe të martën raporti kaloi edhe në Qeveri. Menjëherë i krahasuam dy raportet, si nga ana e Maqedonisë, ashtu edhe nga Shqipëria, dhe tani janë dërguar në UNESCO. Tani, në këtë periudhë nuk na mbetet asgjë tjetër, përveç ta justifikojmë atë që kemi bërë deri në shkurt.”, – deklaroi ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov.
Preskar: Besojmë në potencialin e komuniteteve rurale
Këto informacione, ministri i Kulturës i dha gjatë pjesëmarrjes në panairin e turizmit, ku mori pjesë edhe ambasadori slloven, Gregor Presker, i cili theksoi se panairi është një iniciativë e veçantë që promovon agroturizmin.
“Ky projekt ka një qëllim të qartë dhe human: ruajtjen e natyrës dhe përmirësimin e jetës së njerëzve në zonat rurale, veçanërisht të të rinjve dhe grave, duke forcuar pavarësinë e tyre ekonomike dhe rolin në komunitet. Kjo nuk është vetëm një çështje ekonomike, por edhe çështje dinjiteti, përfaqësimi të drejtë dhe e ardhmja. Ne besojmë fuqishëm në potencialin e komuniteteve rurale dhe në forcën e njerëzve lokalë. Ky është një investim në njerëzit, në mjedisin jetësor dhe në perspektivën evropiane.”, – theksoi ambasadori i Sllovenisë, Gregor Preskar.
Përfaqësuesi i Ambasadës së Zvicrës, Mihal Harari, theksoi se ndërtimi i një destinacioni turistik aktiv dhe të qëndrueshëm nuk është rezultat vetëm i përpjekjeve individuale. Ai nënvizoi se nevojitet bashkëpunim mes ofruesve të shërbimeve, lidhje të forta me komunitetin lokal dhe përgjegjësi e përbashkët për zhvillim të qëndrueshëm.


