Please enter at least 3 characters.

Raporti i Avokatit të Popullit: Dhomat e Specializuara kanë devijuar nga qëllimi fillestar

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka prezantuar raportin me titull “Rishikimi preliminar për Dhomat e Specializuara të Kosovës”, në të cilin theksohet se gjatë proceseve gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së janë evidentuar shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Gjatë një konference për media, Qelaj bëri të ditur se raporti konfirmon shqetësimet e ngritura më herët, duke i cilësuar ato si serioze dhe të mjaftueshme për një shqyrtim të mëtejshëm institucional.

Ai theksoi se, megjithëse raporti është preliminar, ai përmban gjetje të bazuara që vërtetojnë këto shqetësime.

“Raporti konfirmon shqetësimet e ngritura, konstaton se këto shqetësime janë substanciale dhe mjaftueshëm serioze për të justifikuar shqyrtim të mëtejmë institucional. Pra fakti që raporti është preliminar nuk do të thotë që nuk ka arrit me i konstatuar shkeljet në mënyrë të faktuar, por që shqetësimet i vërteton. Dhe për më tepër, në pikën 26 të raportit, qysh në fillim raporti konstaton se mandati i Dhomave të Specializuara ka pasur devijim nga qëllimi fillestar dhe nuk është në frymën e pretenduar nga raporti i Këshillit të Evropës”, tha Qelaj gjatë konferencës për media.

Sipas tij, që në fillim të raportit konstatohet se mandati i Dhomave të Specializuara ka devijuar nga qëllimi fillestar dhe nuk përputhet me frymën e paraparë nga Këshilli i Evropës.

Raporti, sipas Qelajt, evidenton gjithashtu probleme serioze në lidhje me paraburgimin dhe kufizimin e të drejtave të të akuzuarve.

Ai përmendi kohëzgjatjen e tejzgjatur të paraburgimit, mungesën e mundësive reale për lirim të parakohshëm, si dhe kufizimet në komunikimet familjare dhe ato me ekipet mbrojtëse.

“Sa i përket çështjes së paraburgimit dhe kufizimit të të drejtave gjatë qëndrimit në paraburgim, raporti evidenton shqetësime serioze lidhur me kohëzgjatjen e paraburgimit, mungesën e mundësive reale për lirim të parakohshëm, dhe kufizimet e komunikimeve familjare por edhe ato profesionale, pra me ekipet e mbrojtjes. Dhe për më tepër, veç tjerash raporti konstaton se lirimi në Holandë ku zhvillohet procedura penale nuk është i mundur, duke krijuar një pengesë strukturore që rëndon pozitën e të akuzuarve”, tha ai.

Një tjetër shqetësim i ngritur është pamundësia e lirimit në Holandë, gjë që, sipas raportit, krijon pengesa strukturore dhe rëndon pozitën e të akuzuarve.

Qelaj shpjegoi edhe kronologjinë e adresimit të këtyre shqetësimeve, duke theksuar se ato janë ngritur fillimisht në vitin 2021, pas vizitave të realizuara nga institucioni i Avokatit të Popullit në Dhomat e Specializuara dhe janë artikuluar edhe nga vetë të akuzuarit.

Ai shtoi se këto çështje janë diskutuar edhe në një takim me kryetaren e gjykatës në maj të vitit 2025, por pa marrë përgjigje të qarta. Si rrjedhojë, ai kërkoi realizimin e një vizite të dytë, e cila u zhvillua në nëntor të vitit 2025, ku u takua me përfaqësues të gjykatës, mbrojtjes, mbrojtësve të viktimave dhe monitoroi seanca gjyqësore.

Pas kësaj vizite, më 3 dhjetor 2025, institucioni i Avokatit të Popullit i dërgoi një letër zyrtare gjykatës, si dhe Komitetit për Parandalimin e Torturës dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, duke paraqitur shqetësimet për respektimin e të drejtave të njeriut në këtë proces.

Megjithatë, sipas Qelajt, nuk ka pasur përgjigje konkrete ndaj këtyre adresimeve. Ai bëri të ditur se Kryqi i Kuq ka konfirmuar monitorimin e kushteve në qendrën e paraburgimit, por raportet e tyre mbeten konfidenciale. Ndërkohë, Komiteti për Parandalimin e Torturës ka njoftuar vetëm për pranimin e letrës, pa dhënë një përgjigje përfundimtare.

Qelaj shtoi se nga ana e gjykatës nuk është marrë asnjë reagim deri më tani. /Telegrafi/