Please enter at least 3 characters.

Rama e çoi në Prokurori, i reagon Murati: Kodi Penal parashikon deri 3 vjet burg për kallëzim të rremë

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas kallëzimit penal të bërë nga Komuna e Prishtinës ndaj tij, duke e quajtur veprimin e kryetarit Përparim Rama “marrëzi pa kufi” dhe pjesë të një fushate politike.

Në një reagim në Facebook, Murati tha se Rama nuk ka arritur ta miratojë buxhetin e Komunës brenda afatit ligjor dhe po tenton t’ia atribuojë fajin të tjerëve përmes, siç u shpreh ai, “shfaqjeve me kallëzim penal”.

“Vetë ai nuk ka arritë me e miratu buxhetin e Komunës brenda afatit ligjor, dhe tash mendon me e hedhë fajin e dështimit personal tek të tjerët me shfaqje sikur kjo me kallëzim penal”, shkroi Murati.

Ai shtoi se Kodi Penal parasheh dënime nga 3 muaj deri në 3 vjet burg për kallëzim penal të rremë, duke lënë të nënkuptohet se veprimi i kryetarit Rama mund të përbëjë shkelje ligjore.

Murati po ashtu theksoi se kallëzimi penal është bërë më 7 tetor, pra gjatë fushatës zgjedhore, duke e cilësuar këtë si dëshmi të motivit politik.

“Dhe normalisht që aty ka qenë edhe qëllimi. Tregoni dikush që është kry fushata. Tash do duhej me ju kthy punës,” përfundoi ai.

Reagimi i Muratit vjen vetëm pak orë pasi Përparim Rama deklaroi se ministri duhet të përballet me drejtësinë për mosalokimin e fondeve ndaj Komunës së Prishtinës.