Please enter at least 3 characters.

Rama akuzon Vetëvendosjen për bllokimin e “Ishullit Urban”: Me urdhër të kujt i vendosët shiritat?

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Qeverinë e Kosovës për bllokimin e projektit “Ishulli Urban”, për të cilin thotë se lidh rreth 30 mijë banorë të Arbërisë me qendrën e kryeqytetit.

Reagimi i Ramës vjen lidhur me ndalimin e punimeve në këtë projekt. Më 21 maj 2026 ishte paralajmëruar edhe një konferencë e Ramës në “Ishullin Urban”, pas bllokimit të punimeve nga Inspektorati për Trashëgimi Kulturore.

Në një postim në Facebook, Rama ka kërkuar nga Vetëvendosje që t’u japë qytetarëve sqarime lidhur me vendimin për ndalimin e punimeve.

“Vetëvendosje, tregoni qytetarëve kush ju dha urdhër me blloku Prishtinën?”, ka shkruar Rama.

Sipas tij, përveç ndërhyrjeve në sheshin “Xhorxh Bush”, është bllokuar edhe projekti “Ishulli Urban”.

“Përveç sheshit ‘Xhorxh Bush’, edhe ‘Ishulli Urban’, projekt që lidh 30,000 banorë të Arbërisë me qendrën, u bllokua nga kjo Qeveri!”, ka deklaruar ai.

Rama ka paraqitur edhe datat që, sipas tij, lidhen me ndalimin e punimeve dhe miratimin e aktit ligjor.

“20 MAJ 2026 – ndalohen punimet. 5 QERSHOR 2026 – miratohet akti ligjor”, ka shkruar kryetari i Prishtinës.

Ai ka kërkuar sqarime se mbi çfarë baze janë ndalur punimet dhe kush ka urdhëruar vendosjen e shiritave në hapësirën ku po zhvillohej projekti.

“Tregoni qytetarëve të Prishtinës, mbi çfarë baze i ndalët punimet? Me urdhër të kujt i vendosët shiritat?”, ka pyetur Rama.

Kryetari i Prishtinës ka ngritur edhe pyetje lidhur me arsyet dhe përfituesit e kësaj bllokade, duke e lidhur atë me zhvillimin e kryeqytetit.

“Kujt po i shërben kjo bllokadë? Kujt po i pengon zhvillimi i Kryeqytetit?”, ka shkruar ai.

Rama ka përmendur edhe debatin politik rreth zhvillimit të Kosovës, duke pyetur se “kush po don me e pa Kosovën si ‘Kandahar’”.

Në fund, ai ka deklaruar se Komuna e Prishtinës do të vazhdojë me realizimin e projekteve.

“Ne do të vazhdojmë me ndërtu. Për juve ka me tregu historia pse po e bllokoni zhvillimin e Kryeqytetit!”, ka përfunduar Rama. /Telegrafi/