Please enter at least 3 characters.

PSG i mbyll derën largimit të yllit të madh, Enrique nuk pranon ta humbasë

Paris Saint-Germaini ka vendosur ta bëjë të qartë se Warren Zaire-Emery nuk është në shitje gjatë afatit kalimtar të verës.

Mesfushori 20-vjeçar konsiderohet një nga shtyllat kryesore të projektit afatgjatë të kampionëve të Francës dhe trajneri Luis Enrique nuk dëshiron të humbasë një nga talentet më të mëdha të skuadrës.

Sipas mediumit TEAMtalk, drejtuesit e PSG-së ua kanë bërë të ditur ndërmjetësve dhe klubeve të interesuara se nuk kanë ndërmend të negociojnë për transferimin e francezit, pavarësisht interesimit të madh nga klubet elitare evropiane.

Zaire-Emery ka kontratë me klubin deri në qershor të vitit 2029, me opsion vazhdimi edhe për një sezon tjetër, ndërsa vlera e tij në Transfermarkt llogaritet rreth 80 milionë euro.

Interesimi më i madh vjen nga Anglia, ku Chelsea, Manchester United, Arsenal, Liverpool dhe Manchester City janë të gjithë të gatshëm të tentojnë transferimin e tij.

Klubet angleze e vlerësojnë për aftësinë që të luajë si mesfushor qendror, por edhe si mbrojtës i djathtë kur është e nevojshme.

Gazetari i njohur Fabrizio Romano ka raportuar se Zaire-Emery është objektivi i ëndrrave të drejtuesve të Manchester United për të përforcuar mesfushën këtë verë.

Në moshën vetëm 20-vjeçare, ai ka regjistruar tashmë 13 paraqitje dhe një gol me kombëtaren A të Francës, duke u konsideruar si një nga talentet më premtues të futbollit evropian.

Ky nuk është hera e parë që klubet angleze provojnë ta transferojnë. Në shkurt të vitit 2025, Liverpooli kishte bërë një ofertë zyrtare prej 65 milionë eurosh, por ajo u refuzua menjëherë nga PSG.

Më pas, gjatë verës së po atij viti, klubi parisien kishte vendosur një çmim prej 100 milionë eurosh për kartonin e tij, me qëllim që të largonte klubet e interesuara.

Megjithatë, drejtuesit e PSG-së vazhdojnë të mbajnë të njëjtin qëndrim. Ata e konsiderojnë Zaire-Emery një lojtar të pazëvendësueshëm dhe pjesë të rëndësishme të projektit për të ardhmen.

Edhe vetë futbollisti nuk ka shfaqur dëshirë për t'u larguar dhe nuk ka kërkuar transferim gjatë këtij afati kalimtar.

Nëse nuk ndodh ndonjë ndryshim i papritur ose nuk mbërrin një ofertë e jashtëzakonshme nga Liga Premier, Zaire-Emery do të vazhdojë të jetë pjesë e PSG-së dhe do të nisë përgatitjet për sezonin e ri nën drejtimin e Luis Enriques, ndërsa klubet angleze pritet ta mbajnë në listën e objektivave edhe për afatet e ardhshme kalimtare. /Telegrafi/