Please enter at least 3 characters.

Pse trajneri i Egjiptit bëri shenjën ‘X’ në drejtim të gjyqtarit – shpjegohet gjesti i pazakontë

Përzgjedhësi i Egjiptit, Hossam Hassan, bëri një gjest kontrovers në drejtim të gjyqtarit Francois Letexier në minutat e fundit të humbjes 3-2 ndaj Argjentinës në fazën e 1/8 së finales së Kampionatit Botëror.

Egjipti ishte shumë pranë një surprize të madhe, pasi kaloi në avantazh 2-0 falë golave të Yasser Ibrahim dhe Mostafa Ziko në 67 minutat e para të ndeshjes.

Megjithatë, Argjentina reagoi në mënyrë spektakolare dhe përmbysi gjithçka. Cristian Romero ngushtoi diferencën, ndërsa Lionel Messi barazoi rezultatin, para se Enzo Fernandez të shënonte golin e fitores në minutën e 92-të.

Mesfushori i Chelseat realizoi me kokë nga rreth 12 metra, duke kompletuar përmbysjen dhe duke siguruar kualifikimin e Argjentinës në çerekfinale.

Por pas golit të Messit, lojtarët dhe stafi i Egjiptit protestuan ashpër, duke pretenduar se kishte pasur faull në aksionin që çoi te barazimi. Kontestimi u bë edhe më i madh pasi më herët Egjiptit i ishte anuluar një gol për një faull në ndërtimin e aksionit.

Tensionet u rritën në bankinë në fund të ndeshjes, pasi gjyqtari Letexier ndëshkoi me karton të verdhë një anëtar të stafit të Egjiptit.

Në atë moment, Hossam Hassan iu drejtua gjyqtarit me një gjest në formë "X" me duar, një veprim që zakonisht përdoret për të sinjalizuar raste të pretenduara të abuzimit racist, megjithëse nuk është e qartë nëse përzgjedhësi egjiptian e përdori pikërisht me këtë kuptim.

Një rast i ngjashëm kishte ndodhur në vitin 2010, kur ish-trajneri i Inter, Jose Mourinho, bëri një gjest të ngjashëm ndaj një zyrtari të ndeshjes. Ai u konsiderua si një veprim ofendues pasi interpretohej si simbol i prangave dhe më pas Mourinho u pezullua për tri ndeshje.

Pas gjestit të Hassan, një lojtar rezervë i Egjiptit ndërhyri, ndërsa vëllai i tij dhe ndihmësi i stafit, Ibrahim, iu afrua dhe i uli duart.

Më pas, gjyqtari Letexier zhvilloi një bisedë të gjatë me trajnerin dhe stafin e Egjiptit. Ibrahim bëri një gjest pozitiv me gishtin e madh drejt gjyqtarit përpara se të rikthehej në fushë.

Deri tani nuk është bërë e ditur nëse gjyqtari ka marrë ndonjë masë tjetër disiplinore për këtë incident./Telegrafi/