Pse kalimi i trajnerit Albert Riera te Eintracht Frankfurti është lajm i mirë për Dritën?
Albert Riera do të jetë trajneri i ri i Eintracht Frankfurtit. Të dielën e ardhshme, spanjolli 43-vjeçar do të ulet në stol për herë të fundit si trajner i Celjes dhe do të marr pastaj drejtimin e klubit gjerman nga dita e hënë.
Riera ka nënshkruar kontratë me Frankfurtin deri në qershor të vitit 2028.
Por pse largimi i Rierës nga Celje është në fakt një lajm shumë i mirë për kampionin në fuqi të Kosovës, Dritën?
Tashmë siç dihet, Drita do ta ketë përballë Celjen në kuadër të fazës ‘play-off’ të Ligës së Konferencës.
Celje aktualisht udhëheq tabelën me 43 pikë në elitën e futbollit slloven, me një diferencë prej 12 pikës nga vendi i dytë që mbahet nga Koperi.
E gjithë kjo për meritën kryesore të Rierës, i cili e ka shndërruar Celjen nga një ekip që synon vetëm garat evropiane në një skuadër që këtë sezon duket në rrugë të mbarë për ta fituar titullin.
Krejt kjo për shkak të etikës së tij të punës, gjë për të cilën dëshmitar ishte ylli kosovar Milot Avdyli, i cili luan në radhët e Celjes.
Avdyli në podcastin “Arena e Yjeve” që është prodhim i Telegrafit, kishte shpjeguar më shumë për mënyrën e punës së Rierës.
“E kam parë si e do punën, si punon, videot, stërvitjet, i jep shumë rëndësi si me u vendos në fushë, videot, bile ndonjëherë rrijmë duke shikuar video nga dy orë, gjë që nuk e kam parë as në Zvicër as në Ukrainë”.
“I sheh vetëm detajet shumë të vogla por që e vendosin lojën. Është shumë, shumë i përkushtuar pas punës”, kishte rrëfyer Avdyli në podcast.
43-vjeçari ka qenë në krye të Celjes në 91 ndeshje, ku ka arritur që të fitojë 49 prej tyre, ka 20 barazime dhe numëron 22 humbje.
Pra, një mesatare prej 1.84 pikësh për ndeshje dhe 53.85 për qind të ndeshjeve të fituara, një statistikë mjaft impresive.
Me që ra fjala, dueli i parë mes Dritës dhe Celjes do të zhvillohet më 19 shkurt me gjilanasit në cilësinë e vendasit, ndërsa ndeshja e kthimit një javë më vonë më 26 shkurt në Slloveni./Telegrafi/


