Pse barnat kundër kolesterolit shkaktojnë dhimbje muskujsh dhe si mund të parandalohet kjo?
Zbulimi i ri tregon se problemi mund të fshihet në një mekanizëm më të thellë, që deri tani nuk ishte shpjeguar plotësisht
Miliona njerëz në mbarë botën mbështeten te statinat, një klasë barnash që konsiderohen standard i artë për uljen e kolesterolit dhe zvogëlimin e rrezikut nga sulmi në zemër dhe goditja në tru.
Megjithatë, te një numër i konsiderueshëm pacientësh, kjo terapi mund të shkaktojë probleme serioze: dhimbje muskujsh, dobësi dhe intolerancë të theksuar ndaj aktivitetit fizik.
Tani, studiuesit e McMaster University në Kanada kanë identifikuar mekanizmin imunitar dhe metabolik që nxit dëmtimin e indit muskulor, duke ndryshuar supozimet e deritanishme për efektet anësore të kësaj terapie që shpëton jetë.
Problem që prek deri në 29 për qind të pacientëve
Studimi i ri i shkencëtarëve nga McMaster University, i publikuar në revistën prestigjioze Science Advances, ka zbuluar rrugën biologjike që shpjegon pse shfaqen këto efekte të padëshiruara.
Ky zbulim hap mundësinë për zhvillimin e terapive të ardhshme që do të mund ta lehtësonin tolerimin e statinave, duke ruajtur plotësisht përfitimet e tyre kardiovaskulare.
Sipas vlerësimeve, simptomat muskulore të shkaktuara nga statinat prekin nga 7 deri në 29 për qind të njerëzve që i përdorin këto barna.
“Statinat janë ndër barnat më efikase që kemi për uljen e rrezikut nga sëmundjet kardiovaskulare dhe parandalimin e vdekjes së parakohshme. Fatkeqësisht, efektet anësore në muskuj bëjnë që shumë pacientë ta ulin dozën me iniciativë personale ose ta ndërpresin plotësisht trajtimin. Donim të kuptonim pse ndodh kjo dhe nëse është e mundur që këto efekte anësore të ndahen nga përfitimet që kanë barnat kundër kolesterolit”, shpjegon autori kryesor i studimit, dr. Jonathan Schertzer, profesor në Departamentin e Biokimisë dhe Shkencave Biomjekësore në McMaster University, transmeton Telegrafi.
Lidhja e papritur mes metabolizmit dhe imunitetit
Ekipi hulumtues, i udhëhequr nga autorët e studimit Nazli Robin dhe Nicole Barra nga Schertzer Lab në McMaster University, zbuloi se statinat mund të çrregullojnë mënyrën se si qelizat muskulore prodhojnë energji.
Kjo, më pas, nxit një përgjigje specifike imunitare brenda vetë qelizave. Pikërisht ky reagim imunitar i lokalizuar dhe inflamacioni që pason çojnë në dëmtimin e indit muskulor.
Në eksperimentet me minj laboratorikë dhe me qeliza muskulore njerëzore, shkencëtarët arritën të parandalonin pjesën më të madhe të dëmtimit të muskujve duke bllokuar me sukses këtë përgjigje imunitare.
Përfitimi i barnave kundër kolesterolit mund të ndahet nga efektet anësore
Gjetja më interesante e këtij hulumtimi është se mekanizmi që shkakton dhimbjen e muskujve është plotësisht i pavarur nga mekanizmi përmes të cilit statinat ulin kolesterolin në mëlçi.
Kjo do të thotë se mekanizmi i veprimit të barnave dhe mekanizmi i efekteve anësore janë të ndarë. Kjo hap mundësinë që industria farmaceutike, në të ardhmen, të zhvillojë barna të synuara ose suplemente që do të bllokonin inflamacionin në muskuj, ndërsa statinat do të vazhdonin pa pengesë të mbronin enët e gjakut dhe zemrën e pacientit.
Edhe pse nevojiten studime klinike shtesë para se këto rezultate laboratorike të shndërrohen në protokolle zyrtare për pacientët, studimi ka hartëzuar me saktësi disa objektiva të mundshëm biologjikë për zhvillimin e barnave të reja dhe për zgjidhjen e problemit të intolerancës ndaj statinave. /Telegrafi/


