Prokuroria zgjeron hetimet për rastin "Botox"
Në kuadër të procedurës hetimore që po zhvillon prokurori kompetent nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila ka të bëjë me një grup të organizuar kriminal të përfshirë në importin, shpërndarjen dhe aplikimin e paligjshëm të barnave dhe pajisjeve mjekësore, gjatë ditës së djeshme janë realizuar kontrolle në pesë lokacione në Shkup, mes tyre edhe në dy institucione shëndetësore.
Gjatë aksionit janë arrestuar tre persona, prej të cilëve dy janë mjekë.
Në bazë të provave të siguruara, prokurori publik ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj katër personave.
Tre të dyshuar ngarkohen për veprat penale “bashkim kriminal” dhe “cenim i të drejtave të pronësisë industriale dhe përdorim i paautorizuar i firmës së huaj”, ndërsa një person dyshohet për veprën penale “cenim i të drejtave të pronësisë industriale dhe përdorim i paautorizuar i firmës së huaj”, njoftojnë nga Prokuroria.
Me propozim të prokurorit kompetent publik, gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup u ka caktuar masa kujdesi të katër të dyshuarve.
Rasti është hapur në prill të këtij viti, kur ishte lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj 17 personave fizikë dhe gjashtë personave juridikë, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se janë të përfshirë në kryerjen e veprave penale “bashkim kriminal”, “cenim i të drejtave të pronësisë industriale dhe përdorim i paautorizuar i firmës së huaj” dhe “marrje ryshfeti”.
Hetimet vazhdojnë në drejtim të zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave të rastit dhe përcaktimit të përfshirjes së mundshme edhe të personave të tjerë, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.


