Please enter at least 3 characters.

Projektligji për Qeverinë parasheh 40 zëvendësministra, megjithatë Hoti ka emëruar deri tani 46

2020/07/mbledhja-solemne-e-qeverise-se-kabinetit-Avdullah-Hoti-foto-Ridvan-Slivova-5.jpg

Gjatë ditës së sotme, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Besnik Tahiri, ka prezantuar Projektligjin për Qeverinë, ku parashihen të jenë tre zëvendëskryeministra, 15 ministri, 2 ministri në diskrecion të mandatarit, rreth 40 zëvendësministra, si dhe rreth 250 këshilltarë politikë. Megjithatë, tashmë Qeveria Hoti ka kaluar numrin e zëvendësministrave.

Në Qeverinë Hoti, deri tani janë emëruar 46 zëvendësministra në gjithsej 16 ministri, ndërsa numri i zëvendësministrave në disa dikastere arrin deri në pesë, transmeton Telegrafi.

Në Ministrinë e Kulturës, që udhëhiqet nga Vlora Dumoshi (LDK) janë emëruar pesë zëvendësministra.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës është emëruar Engelbert Zefaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë emëruar Halil Matoshi e Arbër Grabovci. Nga Nisma Socialdemokrate është emëruar Valdete Bajrami dhe nga Partia e Ashkalinjve për Integrim është emëruar Qazim Rrahmani.

Po ashtu, edhe në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, që udhëhiqet nga Blerim Kuçi ( AAK) janë emëruar pesë  zëvendësministra, Rexhep Kadriu, Muharrem Nitaj, e Burbuqe Bakia-Deva janë nga AAK, si dhe në postin e zëvendësministrit është emëruar edhe  Muharrem Sfarqa LDK dhe Sema Ispahiu.

Me pesë zëvendësministra është duke funksionuar edhe Ministria e Bujqësisë, që udhëhiqet nga Besian Mustafa (LDK).

Katër zëvendësministra deri tash janë emëruar edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që udhëhiqet nga Meliza Haradinaj-Stublla (AAK). Gjithashtu, katër zëvendësministra janë emëruar edhe në Ministrinë e Infrastrukturës.

Në Qeverinë Hoti, Lidhja Demokratike e Kosovës udhëheq me Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Infrastrukturës, Ministrinë e Bujqësisë, Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport, transmeton Telegrafi.

Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës udhëheq Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Ekonomisë.

Nisma Socialdemokrate udhëheq Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Kurse, Lista Serbe ka dy ministri në udhëheqje, Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe Ministrinë e Kthimit dhe Komunitetit.

Ndërkaq, komunitet tjera udhëheqin Ministrinë e Zhvillimit Rajonal. /Telegrafi/