Prishtina zyrtarizon transferimin e portierit Eurolind Avdimetaj
Prishtina ka zyrtarizuar transferimin e portierit Eurolind Avdimetaj, i cili është përforcimi më i ri i skuadrës bardhekaltër në prag të sezonit të ri.
Portieri 196 centimetra i gjatë i bashkohet klubit kryeqytetas pas eksperiencave me Besën, Istogun dhe Suharekën, ndërsa gjatë karrierës së tij ka qenë edhe pjesë e përfaqësueseve të Kosovës U19 dhe U21.
Pas prezantimit zyrtar, Avdimetaj nuk e fshehu entuziazmin për transferimin te Prishtina, duke e cilësuar këtë hap si një moment të veçantë në karrierën e tij.
"Është nder dhe krenari e madhe për mua të jem pjesë e Prishtinës, klubit më të madh shqiptar. Falënderoj klubin për besimin e dhënë dhe premtoj se do ta jap maksimumin nga vetja në çdo stërvitje dhe në çdo ndeshje, për ta mbrojtur me krenari këtë fanellë dhe këto ngjyra. Forca Prishtina, Forca Plisat”, deklaroi Avdimetaj.
Nga ana e saj, Prishtina i ka uruar mirëseardhje portierit të ri, duke i dëshiruar suksese dhe një rrugëtim të suksesshëm me fanellën bardhekaltër.
Me afrimin e Avdimetajt, Prishtina vazhdon përforcimin e skuadrës për edicionin e ri, duke shtuar konkurrencën edhe në repartin e portës./Telegrafi/


