Please enter at least 3 characters.

Poeti i shkëlqyer që i tha botës të ndalonte së ankuari dhe të vazhdonte përpara

William Ernest Henley (1849 -1903)

Nga: Simon Heffer / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Pak njerëz e lexojnë sot poezinë e William Ernest Henleyt, apo madje kanë dëgjuar për të; por, shumica njohin të paktën një fragment nga krijimtaria e tij e konsiderueshme. Ky fragment zakonisht është strofa e fundit e poemës së tij Invictus [Inviktusi], e shkruar në vitin 1875 dhe, siç na thuhet, shumë e pëlqyer nga Nelson Mandela: “Nuk ka rëndësi sa e ngushtë është porta,/ Sa e ngarkuar me ndëshkime është pergamena./ Unë jam zot i fatit tim,/ Jam kapiteni i shpirtit tim”.

Në një epokë përpara paralajmërimeve për përmbajtje shqetësuese, linjave të ndihmës, shtetit të mirëqenies sociale dhe të gjithë mekanizmave të tjerë të jetës moderne që i nxitin njerëzit të heqin dorë nga përgjegjësia për veten, Henley kishte një qëndrim rrënjësisht të ndryshëm: një vendosmëri të fortë që, përballë fatkeqësive, t’i luftonte vetë ato. (Nuk është për t’u habitur që Lojërat Inviktus - për ushtarakët e plagosur dhe veteranët - morën emrin nga poezia e tij.)

Strofa e parë e Inviktusit citohet më rrallë, por në këtë aspekt është po aq e rëndësishme: “Nga nata që më mbulon,/ E zezë si humnera nga njëri pol në tjetrin,/ Falënderoj çfarëdo perëndish që mund të ekzistojnë/ Për shpirtin tim të pamposhtur”. Mesazhi është të ndalosh së ankuari dhe të vazhdosh përpara: “Në kthetrat mizore të rrethanave/ As jam zmbrapsur, as kam klithur./ Nën goditjet e pamëshirshme të rastësisë/ Koka ime është e gjakosur, por e papërkulur”.

Henley lindi në vitin 1849, bir i një librashitësi nga Glosteri. Kur ishte 12 vjeç, u prek nga tuberkulozi i kockave dhe, para se të mbushte 20 vjeç, u desh t’i amputohej këmba e majtë poshtë gjurit. Gjendja e tij i shkaktoi periudha të gjata dhimbjesh dhe trajtime të dhimbshme për abscese, të cilat kërkonin qëndrime të gjata në spital; dhe, për t’i përkeqësuar gjërat, pasi kishte humbur një pjesë të këmbës së majtë, iu prek edhe shputa e djathtë. Megjithatë, pikërisht këtu mori epërsi “shpirti i tij i pamposhtur”.

Pasi kishte mësuar të lëvizte me një këmbë, ai këmbënguli që ajo të mos i amputohej. Pati fatin të binte nën kujdesin e Joseph Listerit, pionierit të mjekësisë antiseptike, i cili ia shpëtoi këmbën. Por, Henley qëndroi në spital nga viti 1873 deri më 1875: kur shkroi Inviktusin ai e dinte se për çfarë po fliste, dhe përmbledhja e tij me poezi In Hospital [Në spital] daton nga kjo periudhë dhe përshkruan vuajtjet e shumë të sëmurëve të tjerë që ai vëzhgoi gjatë trajtimit të tij. Ajo gjithashtu i krijoi reputacionin si një nga përfaqësuesit e parë të vargut të lirë në gjuhën angleze dhe është dëshmi e origjinalitetit të mendjes së tij.

Ndërsa ishte i shtruar në spital, atë e vizitoi Robert Louis Stevensoni me të cilin krijoi një miqësi që zgjati gjithë jetën; dhe, Stevensoni i tha Henleyt se ai kishte qenë frymëzimi për Xhon Silverin në Treasure Island [Ishulli i thesarit].

Trajtimi i Listerit pati sukses. Pasi doli nga spitali, ai vendosi ta siguronte jetesën duke shkruar. Vazhdoi të shkruante shumë poezi, por gjithashtu redaktoi revista letrare për të siguruar jetesën dhe bashkëredaktoi një fjalor zhargoni me shtatë vëllime. Çuditërisht, poezia e tij u bë jashtëzakonisht popullore në Amerikë, ndoshta më shumë sesa në Angli.

Henley vdiq në vitin 1903, pak para ditëlindjes së tij të 54-të, pasi u rrëzua duke dalë nga një tren: kjo shkaktoi rishfaqjen e tuberkulozit të tij dhe këtë herë nuk pati asnjë mrekulli që ta shpëtonte. Shprehjet për nevojën e një vullneti të hekurt në shumë prej poezive të tij nuk e kishin bërë atë - madje as në kohë më të rrepta - të pëlqyer nga të gjithë, por vdekja e tij u vajtua shumë dhe ai ka një memorial në Katedralen e Shën Palit. Më shumë se një dekadë pas vdekjes së tij, një tjetër varg i tij, nga poezia Pro Rege Nostro, u citua shumë pas shpërthimit të Luftës së Madhe: “Çfarë kam bërë për ty, Angli, Anglia ime? Çfarë ka që nuk do ta bëja, Anglia ime”?

Kompozitorë të ndryshëm i bënë muzikë vargjeve të Henleyt, përfshirë Quilterin, Gurneyn, Deliusin dhe Rebecca Clarkeun, dhe pikërisht kështu e zbulova unë: sepse përshtatjet muzikore më të bukura nga të gjitha u bënë në vitin 1912 nga George Butterworth në ciklin e tij madhështor të këngëve Love Blows as the Wind Blows [Dashuria fryn siç fryn era]. Këto janë shumë larg Henleyt të veprës In Hospital, por janë vargje romantike të krijuara për të qetësuar, jo për të gjallëruar.

Katër përshtatjet muzikore janë marrë nga Book of Verses [Libri i vargjeve] i tij i vitit 1888. Butterworth i shkroi për zë dhe piano, por i orkestroi në mënyrë madhështore në vitin 1914. Të dyja versionet janë incizuar disa herë, megjithëse orkestrimi lë jashtë njërën prej poezive. Poezia më e mirë dhe përshtatja më e pasur muzikore e Butterworthit është e fundit, On the Way to Kew [Rrugës për në Kju], për një ditë të bukur pranvere në një varkë në lumin e Temzës: “Pranë lumit të vjetër e të përhimtë,/ E shkuara e largët e magjepsur/ Pëshpëriti dhe buzëqeshi sërish./ Rrugës për në Kju,/ Marsi kishte të qeshurën e majit,/ Degët e zhveshura dukeshin të përflakura,/ Dhe fjalë të vjetra, të pavdekshme,/ Këndonin në kraharorin tim si zogj,/ Duke ardhur nga Riçmondi,/ Siç bëja dikur unë”.

Megjithëse poezitë e Henleyt janë të vështira për t’u gjetur këto ditë, fatmirësisht incizimet e kësaj përshtatjeje sublime muzikore gjenden lehtësisht: përmes tyre, talenti dhe guximi i Henleyt vazhdojnë të jetojnë. /Telegrafi/