Please enter at least 3 characters.

Plagosen pesë policë dhe një grua pas të shtënave me armë zjarri në Phoenix

2022/02/Screenshot_2-46.png

Pesë policë dhe një grua janë plagosur pasi një burrë hapi zjarr nga shtëpia e tij në Phoenix.

Incidenti u shpalos rreth orës 02:00 pranë zonës së 54th Avenue dhe Elwood Street, kur policia iu përgjigj një thirrjeje për të shtëna me armë zjarri.

Ndërsa polici i parë iu afrua shtëpisë, i dyshuari hapi zjarr dhe e plagosi në disa pjesë të trupit, raporton nypost.

Polici raportohet se është aktualisht në një gjendje të rëndë, por pritet të shërohet, njoftoi shefi i policisë së Phoenix, Jeri Williams.

Në një moment gjatë përplasjes, burri i armatosur nxori jashtë shtëpisë një foshnje në karrocë.

"Ndërsa policët shkuan për ta sjellë foshnjën, i dyshuari vazhdoi të qëllonte - duke u shkaktuar plagë katër policëve të tjerë", njoftoi Williams.

I dyshuari më pas u barrikadua brenda shtëpisë. Autoritetet pohuan se përleshja vazhdoi deri në ora 06:00, sipas kohës lokale amerikane.

Të pesë oficerët – dhe gruaja që u plagos rëndë – u dërguan të gjithë me urgjencë në spital. Foshnja nuk ishte lënduar.

Nuk ishte e qartë se si u plagos gruaja. Policia është ende duke u përpjekur të përcaktojë nëse i dyshuari, gruaja dhe foshnja kanë lidhje mes tyre - dhe çfarë çoi në të shtënat fillestare. /Telegrafi/