Petkoviq sulmon Kurtin pasi institucionet e Kosovës morën nën kontroll stacionet hekurudhore, u bën thirrje serbëve të rreshtohen “nën një bajrak”
Drejtori i te ashtuquajturës Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka sulmuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti pasi institucionet e Kosovës morën nën kontroll stacionet hekurudhore në veri, duke i bërë thirrje serbëve që të “rreshtohen nën një bajrak” dhe të mbështesin Listën Serbe.
Petkoviq deklaroi se “rejtingu dhe fushata e Albin Kurtit po bien në mënyrë të lirë”, duke pretenduar se aksioni i ndërmarrë në ditën e parë të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit lidhet me fushatën elektorale, raporton Kossev.
Reagimi i tij erdhi pasi ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i shoqëruar nga zyrtarë të tjerë dhe me asistencën e Policisë së Kosovës, mori nën kontroll objektin e stacionit hekurudhor në Zveçan, afër kompleksit Trepça, ku u hoq tabela cirilike dhe u vendos një tabelë në shqip, bashkë me flamurin e Kosovës.
Megjithatë, Sveçla i ka hedhur poshtë pretendimet se ky aksion ka lidhje me nisjen e fushatës zgjedhore.


