Pesë vjet pa pagesë, kryetarët e këshillave lokalë në Mitrovicë kërkojnë zbatimin e rregullores
Kryetarët e Këshillave të Lagjeve dhe Fshatrave në Mitrovicë po kërkojnë zgjidhjen e çështjes së kompensimit për angazhimin e tyre, duke thënë se prej rreth pesë vitesh nuk janë paguar për punën që kanë bërë në komunitetet ku janë zgjedhur.
Kryetari i Këshillave të Lagjeve dhe Fshatrave në Mitrovicë, Isak Hajra, thotë për KosovaPress se kryetarët e këshillave kanë vepruar vazhdimisht në terren, duke u angazhuar për zgjidhjen e kërkesave të qytetarëve.
“Ne si kryetarë të këshillave afro pesë vjet nuk jemi kompensuar, mirëpo kryetarët e këshillave gjithmonë kanë punuar e vepruar në komunitet, atje ku kanë qenë të zgjedhur. Mirëpo, edhe në bazë të kërkesave të tyre, shpenzimeve që kanë pasur nevojë të zhvillojnë aktivitetin e tyre në mënyrë më të mirë të mundshme, Komuna nuk ka qenë në gjendje dhe nuk pati gatishmëri t’i kompensojë. Pesë vjet me radhë kanë punuar dhe vepruar me shpenzimet e tyre dhe unë mendoj se kjo nuk është e drejtë. Një kryetar këshilli është i zgjedhur nga komuniteti me votën e qytetarëve, prandaj edhe jemi të zgjedhur me vendimin e Kuvendit Komunal”, tha Hajra.
Ai bëri të ditur se për këtë çështje kanë zhvilluar takime edhe me ish-kryetarin e Komunës, ku, sipas tij, u ishte thënë se mjetet ekzistonin, por duhej të gjendej forma e kompensimit.
“Po, kemi kërkuar dhe kemi pasur takime me kryetarin e kaluar, kemi pasur takim të kryetarit me kryetarët e këshillave. Në atë takim është biseduar, meqenëse decidivisht na është thënë se mjete ka, por duhet të zgjedhur vetëm forma dhe mënyra e kompensimit, që ajo ka qenë pjesë e Kuvendit Komunal, që ata është dashur ta zgjedhin. Domethënë, kur është kërkuar nga kryetari, kanë dorëzuar konfirmim bankar, kanë dorëzuar edhe kopje të letërnjoftimit, kemi dërguar se jemi kryetarë të zgjedhur me vendime, por edhe pse i kemi dorëzuar, kur nuk pati përgjigje positive. Kështu sot e atë ditë ka mbetur situata e pazgjidhur”, tha ai.
Sipas nenit 15 të Rregullores për organizimin dhe bashkëpunimin e komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane në Komunën e Mitrovicës, aktivitetet e këshillave lokale mund të financohen nga komuna, banorët, përmes financimit të përbashkët ose nga donatorët. Ndërsa neni 16 parasheh kompensimin e kryetarëve të këshillave lokale nga buxheti i komunës, për pjesëmarrje në gjashtë mbledhje brenda vitit kalendarik.
Hajra tha se janë befasuar nga qëndrimi i Komunës së Mitrovicës se kryetarët e këshillave nuk mund të kompensohen, duke shtuar se, sipas informacioneve që kanë marrë nga institucionet qendrore dhe Avokati i Popullit, nuk ekzistonte ndonjë pengesë ligjore për këtë.
“Por kjo neve na ka befasuar se si komuna është thirrur që kryetarët e këshillave nuk mund të jenë të kompensuar. Kjo për ne, edhe pse ata thirren në disa ligje, është e papranueshme, sepse neve na është thënë decidivisht edhe në takimet që i kemi pasur në Prishtinë, edhe në takimet që i kemi pasur me Avokatin e Popullit, edhe me rregulloret e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, që na i kanë dërguar. Kurrkund nuk kam hasur pengesa për kompensimin e kryetarëve të këshillave. Komuna jonë e ka gjetur atë. Unë po befasohem se ku e kanë nxjerrë atë rregullore, edhe pse vetëm 10 apo 11 komuna, nuk e di saktë, në Kosovë i paguajnë.
Nëse vlen ai ligj i shtetit që e ndalon kompensimin e kryetarëve, tash shtrohet pyetja se si ato komuna kanë vepruar në kundërshtim me ligjin që i paguajnë. Ose po e them edhe një: tash flitet se kryetarët e këshillave do të kompensohen me nga 50 euro. Tash kush po e shkel atë ligj, nëse është ai ligj që e ka ndaluar kompensimin e kryetarëve? Ti nuk mundesh as 1 euro me ia dhënë kryetarit të këshillit e nuk mundesh as 50. Kryetarët e këshillave nuk i duan as 500, por është një rregullore që e përcakton shumën se sa duhet. Për gjashtë seanca brenda vitit duhet me qenë të kompensuar”, tha Hajra.
Sipas tij, kërkesa e kryetarëve të këshillave nuk lidhet me shumën e kompensimit, por me zbatimin e rregullores.
“Ne edhe përkundër kësaj nuk kemi reaguar për këtë çështje. Ne kemi reaguar për pagat ose për kompensimin e kryetarëve për gjashtë seanca të vitit, që nuk e kemi përjashtuar mundësinë se sa ka me qenë ai çmim i atyre këshillave. Mirëpo, absolutisht kur nuk kemi marrë një përgjigje pozitive, edhe pse kur kemi dërguar në Ministrinë e Financave, atje kanë shkuar kërkesat tona, ka qenë një gatishmëri, atëherë kryetari nuk e nënshkroi atë çështjen e kompensimit. Kështu që besoj që prej asaj dite, kur njëherë nuk kemi marrë përgjigje nga komuna, arsyeja pse?”, tha ai.
Hajra tha se kryetarët e këshillave do ta ndjekin këtë çështje deri në fund, duke shtuar se për këtë kanë angazhuar një avokat, i cili tashmë i është drejtuar Kuvendit Komunal me kërkesat e tyre.
“Po, është e vërtetë. Tash kryetarët e këshillave kemi shkuar hap pas hapi, nuk kemi as nuk duam të prodhojmë një problem komunitet-komunë, por bazën ligjore kemi me ndjek deri në fund. Sa i përket pagave të kryetarëve se ne gjithmonë e lypim një bashkëpunim, por ky bashkëpunim duhet me qenë i ndërsjellë, duhet me qenë i dyanshëm si kryetar i komunës, por edhe si kryetarë të këshillit, jo vetëm kryetarët e këshillave të bëjnë punën e tyre e komuna kur nuk përgjigjet. Unë po them si njeri që kryetarët e këshillave i njoh, sa punojnë në komunitet.
Kur e shoh komunën që një aksion kryetarët e këshillave e kanë ndërmarrë në komunitet, me 1 euro mëditje nuk ju ka dalë. Ne e kemi rregulloren e Kuvendit që e dinë mirë ata se si duhet me qenë bashkëpunimi i drejtorive, drejtorëve me kryetarët e këshillave. Kur njëherë nuk na janë përgjigjur dhe as sot nuk na përgjigjen. Prandaj hapin që e kemi ndërmarrë me Avokatin e kemi bërë se janë shterur të gjitha mundësitë, se kryetari i komunës ka obligim që brenda gjashtë muajve me u taku me neve, nuk e bëri. E angazhuam Avokatin. Avokati tash ju ka drejtuar Kuvendit Komunal me kërkesat tona dhe përgjigje nuk ka marrë. Presim që ta marrë dhe nga ajo përgjigje e Kuvendit Komunal ne ecim tutje”, përfundoi Hajra.
Ndërkaq, Komuna e Mitrovicës kundërshton pretendimet e kryetarëve të këshillave lokale, duke thënë se kompensimi është ndërprerë pas hyrjes në fuqi të Ligjit Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik.
"Sipas komunës, neni 45 i këtij ligji shfuqizon dispozitat ligjore dhe nënligjore që rregullojnë çështjen e kompensimeve, nëse ato nuk janë të autorizuara shprehimisht me ligj.
Komuna thekson se deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji më 22.12.2021, kryetarët e këshillave janë kompensuar në bazë të një vendimi të Kuvendit Komunal, me nga 50 euro për çdo mbledhje, por jo më shumë se gjashtë mbledhje në vit. Sipas saj, në vitin 2022 janë kompensuar të gjitha mbledhjet e mbajtura, ndërsa në janar 2023 janë paguar edhe gjashtë kryetarë të këshillave.
Po ashtu, në përgjigjet e saj, Komuna thekson se nuk ka detyrime të papaguara ndaj kryetarëve të këshillave lokale, pasi pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik nuk janë protokolluar kërkesa për mbajtjen e mbledhjeve si dhe nuk janë dorëzuar procesverbale apo lista të pjesëmarrjes, dokumente këto të nevojshme për procedimin e pagesave.
Sa i përket nenit 16 të Rregullores komunale, komuna vlerëson se dispozita për kompensimin është shfuqizuar me hyrjen në fuqi të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik. /KP/


