Personi që u plagos mbrëmë me armë zjarri në Prishtinë, rasti hetohet si “vrasje e rëndë në tentativë”
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se një person me inicialet A.V. ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri, në një rast të ndodhur më 14.05.2026 rreth orës 21:40, në rrugën “Ali Sokoli” në Prishtinë.
Sipas njoftimit, i plagosuri është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Prokuroria bëri të ditur se prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me Policinë e Kosovës dhe se, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti në drejtim të veprës penale “Vrasja e rëndë në tentativë”, sipas nenit 173 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit, si dhe identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar lidhur me këtë rast”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paralajmëruar se do ta informojë opinionin publik për zhvillimet e mëtejme lidhur me këtë rast. /Telegrafi/


