Please enter at least 3 characters.

Përplasjet në LDK, ish-deputeti Baxhaku i reagon Janina Ymerit: Po e tepron me arrogancë

Përplasjet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës po vazhdojnë, madje së fundmi janë përfshirë edhe ish-deputet të kësaj partie.

Pas reagimit publik të deputetes Janina Ymeri ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar edhe ish-deputeti i LDK-së, Hatim Baxhaku.

Ymeri, në një postim të gjatë, e kritikoi Abdixhikun për deklaratat e tij lidhur me deputetët që nuk e mbështetën kandidaturën presidenciale, duke pretenduar se deklaratat e saj ishin paraqitur në mënyrë të shtrembëruar.

Ajo tha se kundërshtimi i saj ndaj kandidaturës lidhet me qëndrimin e saj të mëhershëm politik ndaj Vetëvendosjes dhe me profilin e kandidatit.

Në këtë debat është përfshirë edhe Baxhaku, i cili i është drejtuar drejtpërdrejt Ymerit.

“Z. Janina, të kam votua të dy herët. Unë vlerësoj shumë mendimin e pavarur dhe ndryshe gjatë diskutimeve brenda strukturave partiake, por je ka e tepron me arrogancë dhe me kundërshtimet publike që çdo ditë i bën ndaj strukturave partiake”, ka shkruar Baxhaku.

Ish-deputeti i LDK-së e konsideron të papranueshme mënyrën se si po shfaqen publikisht mospajtimet brenda partisë, duke argumentuar se vendimet e strukturave duhet të respektohen.

“Nuk funksionon kështu puna e mendimit të pavarur. Kjo i tejkalon kufijtë e demokracisë së brendshme partiake. Nuk të falet lehtë kjo arrogancë”, ka deklaruar ai.

Reagimi i Baxhakut vjen në një moment kur përplasja në LDK është bërë publike. Gjashtë deputetë të partisë, përfshirë Janina Ymerin, nuk e mbështetën kandidaturën e Bekim Sejdiut për president, duke dalë kundër qëndrimit të Kryesisë së LDK-së. /Telegrafi/