Përplasjet brenda LDK-së para Kuvendit të Jashtëzakonshëm, Havolli dhe Gecaj shkëmbejnë kritika publike
Thirrja e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka nxitur përplasje publike mes disa zyrtarëve të kësaj partie, pak ditë para mbajtjes së mbledhjes ku pritet të diskutohet për zhvillimet e brendshme politike në subjekt.
LDK-ja ka njoftuar se kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, ka marrë vendim për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, pasi Sekretariati i Përgjithshëm ka përfunduar verifikimin e kërkesës së paraqitur nga delegatët e Kuvendit.
Sipas partisë, është konstatuar se janë përmbushur kriteret statutare, përkatësisht është siguruar mbështetja e së paku një të tretës së delegatëve, që kërkohet për thirrjen e një Kuvendi të Jashtëzakonshëm.
"Pas përfundimit të procedurave statutare të verifikimit të kërkesës së paraqitur nga delegatët e Kuvendit, Kryetari i LDK-së, në ushtrim të kompetencave dhe detyrimeve të përcaktuara me Statutin e partisë, ka marrë vendim për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës", kishte njoftuar LDK-ja.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm është caktuar të mbahet të enjten, më 30 korrik 2026, duke filluar nga ora 18:00.
Në prag të këtij takimi, zyrtari i LDK-së, Sokol Havolli, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke thënë se kjo ditë duhet t’i takojë vendimmarrjes së brendshme të partisë.
"Te enjten është dita ku LDK vendosë për LDK. E jo LDK të vendoset nën kontroll të satelitëve të PDK", ka shkruar Havolli.
Ky reagim ka nxitur reagimin e Bajram Gecajt, po ashtu zyrtar i LDK-së, i cili i ka drejtuar një pyetje publike Havollit lidhur me deklaratën e tij.
"Pyetje publike për Sokol Havollin: A ta merr mendja se unë jam satelit i PDK?", ka shkruar Gecaj.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së pritet të zhvillohet në përputhje me procedurat statutare të partisë. Nga LDK-ja kanë deklaruar se procesi do të udhëhiqet me transparencë dhe respektim të vullnetit të delegatëve.
"Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar që i gjithë ky proces të zhvillohet në përputhje të plotë me Statutin e partisë, me parimet demokratike, transparencën institucionale dhe respektimin e vullnetit të delegatëve të Kuvendit", thuhet në komunikatën e LDK-së.
Vendi i mbajtjes së Kuvendit dhe detajet tjera organizative, sipas partisë, do t’u bëhen të ditura delegatëve në përputhje me procedurat e përcaktuara. /Telegrafi/


