Please enter at least 3 characters.

Përplasje mes Ramës dhe LVV-së pas vendimit të Supremes për biletat e autobusit

Vendimi i Gjykatës Supreme për të refuzuar kërkesën për masë të përkohshme ndaj vendimit për rritjen e çmimit të biletës së autobusit në Prishtinë ka nxitur përplasje publike mes kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal, raporton Telegrafi.

Rasti lidhet me padinë e paraqitur nga drejtuesi i grupit të asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla, në emër të grupit të asamblistëve, kundër vendimit për shtrenjtimin e biletës së transportit urban.

Pas njoftimit për vendimin e Gjykatës Supreme, Rama reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar grupin e asamblistëve të LVV-së si "të padijshëm".



“Gjykata Supreme e ka refuzuar kërkesën e grupit të asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje! Po e ripërsëris, përveç që jeni dashakëqij, jeni edhe të padijshëm!”, ka shkruar Rama.

Ndaj këtij reagimi është përgjigjur Gëzim Sveçla, i cili ka sqaruar se bëhet fjalë për kërkesën për masë të përkohshme dhe ka paralajmëruar vazhdimin e betejës ligjore.

“Përparimi qenka gëzuar që është refuzuar kërkesa për masë të përkohshme ndaj vendimit për shtrenjtim të biletës. Shihemi në Apel, Përparim legalizimi”, ka shkruar Sveçla.



Në këtë përplasje është përfshirë edhe asamblistja e LVV-së, Jeta Dida Bujari, e cila ka kritikuar gjuhën e përdorur nga kryetari i Prishtinës dhe ka theksuar se refuzimi i masës së përkohshme nuk nënkupton domosdoshmërisht se vendimi për shtrenjtimin e biletës është shpallur i ligjshëm.

“I gjithëdijshmi z. Përparim Rama”, ka shkruar ajo në fillim të reagimit të saj.

Bujari ka theksuar se masa e përkohshme është pjesë e një procedure gjyqësore dhe se refuzimi i saj nuk e përcakton automatikisht ligjshmërinë e vendimit të kundërshtuar.

“Refuzimi i një mase të përkohshme nga gjykata është procedurë ligjore dhe nuk e bën një vendim automatikisht të drejtë apo në interes të qytetarëve”, ka deklaruar Bujari.

Sipas saj, detyra e asamblistëve është të mbrojnë interesin e qytetarëve dhe të kërkojnë transparencë lidhur me rritjen e çmimeve të shërbimeve publike.



“Detyra e asambleistëve është mbrojtja e xhepit të qytetarit dhe sigurimi i transparencës për çdo rritje çmimi në shërbimet publike”, ka shkruar ajo.

Bujari e ka kritikuar gjithashtu Ramën për përdorimin e gjuhës që ajo e konsideron ofenduese ndaj asamblistëve të opozitës.

“Etiketimet me fjalë si ‘të padijshëm’ e ‘dashakëqij’ nuk e mbulojnë dështimin për të ofruar zgjidhje të përballueshme për transportin publik”, ka thënë ajo.

Ajo ka përfunduar duke kërkuar, siç është shprehur, më shumë llogaridhënie nga Komuna e Prishtinës.

“Prishtina ka nevojë për llogaridhënie dhe menaxhim të përgjegjshëm, jo për gjuhë ofenduese nga kryetari i komunës”, ka deklaruar Bujari.

Ndërkohë, beteja ligjore e grupit të asamblistëve të LVV-së për vendimin për shtrenjtimin e biletës pritet të vazhdojë, pasi Sveçla ka paralajmëruar ankimim në Gjykatën e Apelit. /Telegrafi/