Please enter at least 3 characters.

Përgjigja e Edi Ramës ndaj Vuçiqit, deputetja britanike: Kjo është diplomaci

Foto: Arkiv

Një ditë më parë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i është përgjigjur presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq lidhur me deklaratat për ndryshimin e rrjedhjes së lumit Ibër.

Rama në një postim në platformën X, duke iu kundërpërgjigjur deklaratave të Vuçiqit kishte thënë se Kosova është republikë sovrane dhe se burimet natyrore që ndodhen në të nuk janë burime të Serbisë.

Rama ka kritikuar përmendjen e vazhdueshme të konceptit të “Shqipërisë së Madhe” sa herë që Shqipëria flet për Kosovën, duke theksuar se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë dhe se nuk ka nevojë për një koncept të tillë për të mbështetur Kosovën.


“Shqipëria nuk ka absolutisht asnjë pretendim ndaj territorit serb dhe nuk ka nevojë të shpikë një të tillë. As nuk kemi nevojë për një ‘Shqipëri të Madhe’ për të qëndruar në krah të Kosovës”, shprehet ai.

E lidhur me këtë postim të Ramës, ka reaguar deputetja britanike, mikja e Kosovës, Alicia Kearns.

Kearns në një koment në postimin e Ramës thekson “Kjo është diplomaci”.

Ndryshe, deklarata e Vuçiqit për ndryshimin e rrjedhjes së lumit Ibër ka shkaktuar reagime të shumta.

Lidhur me këtë deklaratë kanë reaguar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Bashkimi Evropian. /Telegrafi/