Please enter at least 3 characters.

Përfundon pa rezultat raundi i ri i dialogut Kosovë–Serbi në Bruksel

Bruksel

Një tjetër raund i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i mbajtur në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel, ka përfunduar pa ndonjë rezultat konkret.

Sikurse edhe në takimet e mëparshme, palët kanë shkëmbyer akuza për mungesë gatishmërie në zbatimin e marrëveshjes.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se delegacioni serb ka insistuar që si kusht i parë të zbatohet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Kosova ka kërkuar zbatimin e plotë të marrëveshjes bazë, duke përfshirë çështjet e të pagjeturve.

“Ideja sot ishte të bëjmë progres në themelimin e komisionit të përbashkët për personat e zhdukur me forcë, por Serbia u tërhoq nga marrëveshja për termat e referencës, duke kërkuar që dokumenti të rishkruhet, gjë që nuk u pranua nga Brukseli e as nga pala jonë”, deklaroi Bislimi.

Ai theksoi se Kosova ka paraqitur tri propozime konkrete, përfshirë sigurimin që nenet 1–4 të përfshihen në marrëveshjen bazë dhe zhvendosjen e obligimit të Serbisë për të mos bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare nga fundi në krye të planit.

“Serbia nuk solli asnjë propozim tjetër përveç kërkesës për Asociacionin, duke treguar qartë se është tërhequr nga marrëveshja bazë”, u shpreh Bislimi.

Ai kritikoi gjithashtu Serbinë për mungesë progresi në hetimin e varrezave masive dhe për zvarritjen e gërmimeve në Kozhle, duke shtuar se zjarret e verës në atë zonë dyshohet se janë përdorur për të zhdukur prova.

Dialogu u ndërpre edhe kur Kosova kërkoi që të ndalet bllokimi nga Serbia për shpërndarjen e mjeteve të Qeverisë së Kosovës për fermerët në Luginën e Preshevës.